Aktualitet Rajoni

Shqipëria i zë vendin Serbisë, partnerja kryesore tregtare e Kosovës pas 12 vitesh!

Serbia nuk është më partnerja kryesore tregtare e Kosovës.

Gjatë vitit të shkuar, vendin e saj e zuri Shqipëria nga ku janë importuar mallra me vlerë rreth 326 milionë euro. Në vend të dytë qëndron Maqedonia e Veriut.

Rënia e importit nga fqinji verior i Kosovës është diktuar nga masa e vendosur në qershorin e vitit të shkuar sipas së cilës asnjë mall nga Serbia nuk do të lejohej të hynte në Kosovë. Masa u vendos si përgjigje ndaj rrëmbimit të tre policëve kufitarë në veri.

Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP, ka deklaruar se pas vendosjes së kësaj mase, vitin e kaluar importet nga Serbia kanë rënë për 47 për qind.

“Nga 372 milionë euro importe nga ky vend (Serbia) në vitin 2022, gjatë vitit 2023 ato kanë rënë në 198 milionë euro apo për -47 për qind. Tek partnerët tjerë kryesorë fqinjë, vërehet një rritje e ndjeshme e importeve nga Shqipëria me +28 për qind krahasuar me vitin 2022, si dhe nga Maqedonia e Veriut me +10 për qind”, ka thënë Hasaj.

Ndërsa Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka deklaruar se bizneset vendase kanë vazhduar të importojnë produkte nga brand-et e njëjta, por që kanë përfaqësi në shtete tjera në rajon.

“Dihet se shumë kompani që prodhojnë në Serbi i kanë riorientuar partnerët e tyre prej Kosovës që t’i blejnë mallrat nga kompanitë që i kanë simotra në Maqedoni, siç është CocaCola, e cila më herët është importuar nga Serbia, ndërsa tani është riorientuar në Shkup që është pronari i njëjtë e kanë orientuar të importohet nga Maqedonia shkaku i masës nga Qeveria”, ka thënë ai.

Që bashkëpunimi tregtar mes këtyre dy shteteve të rritet, Oda Ekonomike ka rekomanduar edhe kalimin në një sistem unik të tatimit të vlerës së shtuar.

“Me Shqipërinë na nevojitet që të ndërmarrim masa që dy Qeveritë tona të kalojnë në një nivel tjetër të bashkëpunimit, për t’i eliminuar disa barriera administrative dhe joadministrative që po ndikojnë në kosto të biznesit dhe në kohë të transportimit të mallrave. Kështu që rekomandimi ynë është që ne të kalojmë në sistem unik të tatimit të vlerës së shtuar, ku nëpërmjet një fature të vetme të tatimit të vlerës së shtuar malli të qarkullojë nga Saranda në Prishtinë, ose prej Korçës në Pejë”, ka thënë Rafuna.

Ai ka shtuar se kjo do t’i ndihmonte marrëdhëniet midis dy vendeve, si dhe do të ndikonte në uljen e kostos së të bërit biznes mes tyre.