Aktualitet

Shtohet numri i të sëmurëve me zemër, vaksinimet anti-COVID bien me 85%!

Numri i të shtruarve në spitalet publike është rritur për periudhën janar-prill 2022. Në këtë periudhë, shtrimet e pacientëve janë rritur 17,5% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas treguesve të monitorimit financiar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për 4 mujorin e parë të këtij viti, numri i pacientëve të shtruar në spitale ishte 86,392 pacientë, nga 73,556 pacientë që ishin vjet.
Sipas treguesve, numri i pacientëve të trajtuar në kardiologji është rritur me 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Ndërsa në raport me 2020, kur nisi pandemia, shtrimet nga të sëmurët me zemër janë rritur 76%.

Në periudhën janar-prill 2020, shtrimet në spitale ranë për shkak të frikës nga infektimet e COVID-19. Mjekët paralajmëruan se pas pandemisë do të ketë rritje të ndërhyrjeve kirurgjikale në zemër, për shkak të problemeve post COVID-19 që duhet të trajtoheshin në kohë. Për “Monitor”, mjeku Ilir Allkja pohoi:

Sëmundja e COVID-19 lë pasoja afatshkurtra dhe afatgjata në disa sisteme e organe, të cilat duhen trajtuar në kohë. Ndër pasojat post-COVID janë problemet metabolike e kardiake, që shpesh çedojnë në probleme dramatike, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje të tilla si bypass-e e stente koronare.

Në këtë periudhë ka pasur edhe rritje 4% të të shtruarve në spitalet psikiatrike. Mjekja psikiatër në QSUT, Fatime Elezi tha për “Monitor” se shtrimet janë rritur nga përdorimi i lëndëve narkotike nga të sëmurë kronikë mendorë që lenë spitalet.

Rritja e shtrimeve në spitalet psikiatrike nuk është e ndikuar nga COVID-19. Në spitalet psikiatrike gjithmonë shfaqet kjo tendencë, numri i pacientëve herë ulet dhe rritet. Kjo pasi disa pacientë kronikë të shtruar në psikiatri që përfundojnë mjekimin, rikthehen për shtrime, pasi gjendja e tyre përkeqësohet nga përdorimi i substancave narkotike.

Elezi thekson se “frika dhe ankthi ishin simptomat kryesore që u shfaqen te të sëmurët me koronavirus apo përjetimit kur infektoheshin familjarët e tyre”. Këto simptoma u trajtuan nga shërbimet ambulatore. Në psikiatri, deri tani nuk kemi shtrime të pacientëve me probleme mendore për shkak të COVID-19. Mjekët psikiatër të shërbimit parësor kanë pranuar se pas tërmetit, shtimi i pacientëve më shenja ankthi dhe paniku u rrit në vend. Me shfaqjen e pandemisë, numri i pacientëve që vuanin nga ankthi është në rritje.

Shtohen depistimet për kancer

Ndryshe nga vitet 2020-2021, këtë 4-mujor janë rritur kontrollet e grave për kancerin e gjirit dhe të mitrës. Për këtë vit, depistimet e kancerit të gjirit u rritën 54% e të mitrës 31%. Në 4-mujorin e parë të 2022-ës ka shtim me 9% edhe të pacientëve të trajtuar me radioterapi.

Mjekja onkologe, Silvana Çeliku theksoi se “për shkak të frikës nga infektimet me COVID-19 më 2020-ën, por edhe vitin e kaluar, shumë gra hezituan të kryenin depistimet për kancerin e gjirit e mitrës”. Sipas saj, “pasojat do të ndihen në shëndet, pasi COVID-19 pengoi diagnostikimet e hershme e rrezikon shtimin e fataliteteve për të prekurit me lloje të ndryshme të tumoreve”.

Vaksinimet e COVID-19 bien 85%

Për muajt janar-prill 2022, vaksinimet janë ulur 85% krahasuar me vjet. Për vaksinimin e popullatës në 4-mujorin e parë të 2021, u shpenzuan rreth 14 milion dollarë sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë. Në total, deri tani janë kryer 2,883,851 vaksinime. Sipas të dhënave nga World Data, bë Shqipëri është vaksinuar 47% e popullatës, ndërsa në rang global, 61% e popullatës. / D. Azo.