Aktualitet Politikë

Shtyhet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve/Një reagim edhe nga kryeministri Rama!

Shtyhet për në një kohë tjetër mbledhja e Konferencës së Kryetarëve e planifikuar të mbahej sot në orën 13:30 minuta. Aty pritej të diskutohej lidhur me objektin e komisioneve hetimore të dakordësuara mbledhjen e djeshme. Sipas burimeve, më pas nuk është arritur dakordësia për objektin e këtyre komisioneve dhe ndaj mbledhja e sotme u shty.

Një ditë më parë, në mbledhje u arrit marrëveshja lidhur me ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare të kërkuara nga opozita për Sterilizimin dhe sistemin TIMS.

Kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me situatën politike dhe negociatat me Rithemelimin për kthimin e normalitet në Kuvend.

Të gjithë idiotët e dobishëm janë sulur socialeve e kanaleve për të thënë se paskërkemi gëlltitur ç’kemi thënë dhe po bashkëpunokemi me Non Gratën, pse jemi dakord që sipas kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të miratojmë komisione hetimore brenda kësaj kornize!

Po ne këtë e kemi thënë e stërthënë dhjetra herë, qyshse refuzuam të miratojmë kërkesa për të ngritur komisione hetimore jashtë asaj kornize! Dhe nëse deputetë të Kuvendit që mbledhin firmat për të ngritur një komision hetimor e bëjnë kërkesën brenda asaj kornize, ne s’kemi as të drejtë, as arsye e as mundësi që ta refuzojmë. E kurdoherë që kjo të ndodhë vota jonë është sigurisht pro!

Çfarë ka këtu për të vënë kujën përveç nevojës për të helmuar publikun me akuza dhe shpifje krejt të pabaza mbi medemek “pazarin me Non Gratën”, i cili thjesht nuk ekziston?

Edhe për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore e kemi thënë prej disa kohësh, nëse nuk pjell asgjë veç sherrit e shamatasë së tyre deri kur të mbyllet afati, do të mbyllet edhe komisioni e kjo punë do t’i mbetet Kuvendit, ku po nuk u arrit dot ndonjë mirëkuptim për ndryshime të ligjit dhe s’ka numra në sallë për të votuar ndryshime, do të shkojmë në zgjedhje me ligjin që kemi. As për këtë s’kemi ndryshuar ndonjë qëndrim a mendim.

Atëherë ku është ky pazar dhe ku hyn Non Grata në këtë mes?!

Ah, nëse ata që do të digjnin parlamentin kanë ndërruar mendje dhe duan të rikthehen në punë, ne as nuk i pengojmë dot, as nuk duam t’i pengojmë të reflektojnë, përkundrazi na vjen mirë që ta bëjnë. Kjo është e gjitha dhe ne jemi ata që ishim, aty ku ishim, me po ato qëndrime që kishim, jo sepse është gabim të ndryshosh qëndrim, po sepse në këtë nuk ka asgjë për të ndryshuar në qëndrimin tonë.

Çudi që s’e mësuan dot që Partia Socialiste është gjithnjë tre hapa përpara dhe në fund të gjitha xhirot bosh përfundojnë po në pikën ku nisin, tre hapa mbrapa nesh.

Gazment Bardhi deklaroi se nuk ka asnjë marrëveshje me Edi Ramën. Sot u shpreh se ka vetëm dialog, për të rikthyer jetën normale parlamentare në vend, duke plotësuar kërkesat legjitime të opozitës.

Për ne, normalizimi i jetës parlamentare ka qenë dhe mbetet qëllimi ynë. Zgjidhja e kërkesave sjell normalitetin në Kuvend. Grupi parlamentar i PD-së i qëndron dakordësisë të arritur që dje në Konferencën e Kryetarëve. Nuk kam qëndrim për çfarë ka thënë Salianji, secili mund të mbajë qëndrimin e tij. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka mbështetur dakordësinë në parim, për atë që kanë shprehur dje në mbledhje.

Nga PD-ja zyrtare, Enkelejd Alibeaj i cilësoi “pazare” negociatat e maxhorancës me Rithemelimin.

Vetëm një idiot i lindur bën sikur nuk e kupton që Rama po bën pazar pë Reformën Zgjedhore. Vetëm një gjë ama duhet pranuar se e ka thënë drejt: asgjë nuk ka ndryshuar! Asgjë nuk ka ndryshuar me 2008 kur pazarin e beri po me Non Grata-n. Asgjë nuk duan të ndryshojnë: listat të mos i hapin; diaspora të mos votojë; të marrin mandate gratis në tavolinë. Mund të jeni 3 hapa para me spërdredhje siç keni bërë për 30 vjet në kurriz të shqiptarëve por mos harroni se shqiptarët shkelmin e kanë gati!

Deputeti demokrat, Ervin Salianji, tha se marrëveshja e arritur në Kuvend për ngritjen e dy komisioneve hetimore dhe një nënkomisioni për Reformën Zgjedhore, ul besueshmërinë e opozitës. Sipas tij, marrëveshja mes palëve ndikon negativisht në perceptimin e opozitës në shoqëri.

Nëse ne kthehemi në normalitet, ne rikthehemi për shkak të vendimmarrjes sonë nëse i shërben interesit publik. Jemi në kushtet kur ka ndryshuar rregullorja e Kuvendit dhe jemi në kushte të papranueshme të ligjit të Komisioneve Hetimore që kufizon të drejtën e hetimit parlamentar. Nuk mund të bërtas për fitore kur Rama thotë merr 8 dhe ne marrim 2. Kufizimi që bëhet me dy anëtarë është prapë një hap prapa.

Salianji tha se mungon gjithëpërfshirja në nënkomisionin hetimor.

Nëse komisioni kishte gjithëpërfshirje tani janë vetëm dy palët. Nëse themi se ndjekim rrugën radikale, ne nuk bëhemi lavjerrës siç është bërë gjithnjë. Koha do të na konfirmojë që me Ramën asgjë nuk ndodh. I gjithë faktori ndërkombëtar ka kërkuar normalizimin. Nuk mund t’ia japim si bonus. Ne e kemi pasur të drejtën dhe e kemi refuzuar. Çfarë kemi fituar? Kjo marrëveshje na ul besueshmërinë dhe ndikon negativisht në perceptimin e opozitës në shoqëri.

Këtu nuk ka asnjë krisje. Bashkimi i grupit ka tjetër ndikim. Bashkimi i demokratëve solli një protestë. Gjithçka që ka të bëjë me lëvizjen në parlament. Ka pasur diskutim që ky komision do të jetë për reformat.

Kryetari i grupit parlamentar Aleanca për Ndryshim, Fatmir Mediu tha se i vlerëson si një “hap pozitiv” diskutimet mes maxhorancës dhe opozitës për ngritjen e një nënkomisioni parlamentar për Reformën Zgjedhore. Sipas tij, hapat që duhen ndërmarrë duhet të jenë gjithëpërfshirës.

Në këtë situatë që diskutohet për të kthyer kushtetutshmërinë e parlamentit, mendoj se është hap pozitiv. Komunikimi politik mes palëve i forcave opozitare me qeverisjen, për çështje të rëndësishme është i vlefshëm. Ajo që opozita duhet të veprojë të ketë një plan veprimi parlamentar. Dhe më pas në diskutimet që do të bëhen në atë nënkomision të ketë parasysh se çfarë kërkon ajo dhe si të punojë për të kthyer kushtetutshmërinë në punën e Kuvendit.

Mediu shtoi se Reforma Zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse.

Reforma Zgjedhore, ka nevojë të jetë gjithëpërfshirëse, një reformë zgjedhore që garanton kushtetutshmërinë e parlamentit, ku deputetët zgjidhen nga qytetarët. Garanton mundësinë për të vazhduar dhe të ketë pluralizëm në vend dhe jo të manipulohet me pluralizmin duke hequr mundësinë për koalicione. Vota e Diasporës është rëndësishme po ashtu. Ajo që është e rëndësishme të hiqen duart nga grabitja e votave, penalizimi i atyre që bëjnë këto, jo vetëm si individ, por dhe si kandidat si dhe votimi dhe numërimi elektronik.

Nuk kemi një komision tjetër të Reformës Zgjedhore, por një nënkomision, nukël, që trajton probleme që tejkalojnë interesin e maxhorancës. Parlamenti padyshim ka procese të miratimit të kodeve apo edhe të diskutimeve për ndryshimet kushtetuese që kanë nevojë për mirëkuptim. Për gjykim të përbashkët.

Ata që përfaqësojnë opozitën, mos të mendojnë se i dinë të gjitha, është e rëndësishme që përfaqësuesit e opozitës të kenë një diskutim me të gjithë trupën opozitare si në nivel teknik, ashtu dhe në atë politik në vendimmarrjen e këtyre çështjeve. Në këtë formë do të kemi një trupë opozitare të unifikuar në qëndrim dhe veprime politike opozitare.