Aktualitet

Sistemi europian i pagesave, Sejko: Shqipëria ka gati kuadrin ligjor/ Mete: Ulet kostoja për bizneset dhe qytetarët!

Ministrat e financave dhe guvernatorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Tiranë për të diskutuar mbi integrimin në sistemin evropian të pagesave.

Komisioni Europian i ka dhënë dritën jeshile gjashtë vendeve për tu bërë pjesë e sistemit evropian të pagesave pa qenë anëtare e BE-së, si pjesë e planit të ri të Rritjes.

Zyrtarët ranë të gjithë dakord për përfitimet e jashtëzakonshme që do t’i japë akses në tregun financiar të kontinentit duke ulur tarifat e transaksioneve

“Mbi 70 për qind e eksporteve nga Ballkani Perëndimor shkon në vendet anëtare të BE-së. BE-ja është gjithashtu burimi më i madh i investimeve të huaja direkte në rajon. Ajo përbën rreth 70% të totalit të Investimeve tw Huaja Direkte në Ballkanin Perëndimor. Edhe remitancat luajnë një rol të rëndësishëm për ekonomitë tona. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, kosto për të dërguar remitanca për shembull në rastin e Shqipërisë përllogaritet mesatarisht në 8.7% dhe vlerësohet se me përfshirjen në SEPA emigrantët dhe familjet e tyre mund të kursejnë në mënyrë domethënëse”, tha Ervin Mete-ministër i Financave.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se Shqipëria ka bërë gati kuadrin ligjor dhe do dorëzojë aplikimin e saj në qershor për tu bërë pjesë e këtij sistemi

“Shqipëria ka përparuar dukshëm në përafrimin e legjislacionit të pagesave me atë evropian. Vlerësimet e Bankës Botërore cilësojnë se Shqipëria është pothuajse gati për t’u bërë anëtare e SEPA-s. Ne kemi intensifikuar përpjekjet për finalizimin e procesit të aplikimit duke hartuar një plan veprimi, i cili do të ndahet gjithashtu me institucionet përkatëse të qeverisë të përfshira në këtë proces. Në të njëjtën kohë, kemi ndërmarrë veprime për vendosjen e urave të komunikimit me Këshillin Evropian të Pagesave me qëllim trajtimin e çdo nevoje gjatë këtij procesi”, tha Gent Sejko-guvernator.

Viti i ardhshëm është afati për vendet e Ballkanit Perëndimor për tu bërë pjesë e SEPA, ndërsa të gjitha vendet po përafrojnë kuadrin e nevojshëm ligjor me direktivat e BE-së, në një proces të udhëhequr nga Komisoni Europian dhe Banka Botërore.