Aktualitet

Situata kaotike me zjarret në Pishë Poro, Ministri Peleshi: Operacioni do të vijojë pa ndërprerje!

Një ndër vatrat më problematike dhe me kaotike të zjarrit me të cilat jemi përballur deri më sot. Kështu e ka cilësuar Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi zjarrin disa ditor në masivin pyjor te Pishe Poro- Darezezë, teksa ka zbritur në terren për të monitoruar nga afër situatën. Për ministrin Peleshi ndërhyrja nga ajri e dy avionëve Canadair, të nisur nga shteti fqinj grek, ka ndihmuar për  vënien nën kontroll të vatrave më problematike të zjarrit teksa ka theksuar se operacioni i ndërhyrjes nga ajri do të vijojë deri në neutralizimin e plotë të tyre.

“Ne do të jemi me të gjitha forcat e mjetet tona, edhe me shtesa nëse duhet deri në përfundim. Kemi kërkuar të na mbështesin partnerët. Ndërhyrja nga ajri nuk është e vonuar, e kemi vlerësuar kur duhej. Duhet të heqim mentalitetin që helikopteri shuan zjarret. Por ka zjarre si të kësaj natyre ku është më e rëndësishme të ndërhyhet nga terreni. Në krye të punës kemi qenë, e kërkuam kur pamë se ishte i nevojshëm.

Situata është shumë serioze shumë kritike, është një ndër situatat më kritike që kam parë.

Ne do jemi këtu dhe do të mbështesim me forca, mjete , dhe logjistike deri ne eliminimin e plotë të zjarrit i cili ka përshkuar një sipërfaqe të madhe në këtë masiv pyjor.- tha Peleshi.

Kujtojmë se Greqia ka dërguar dy avionë Canadair për shuarjen e flakëve në vendin tonë!