Aktualitet Bota

Situatë alarmante në Gaza, palestinezët hyjnë nëpër depo për t’u furnizuar me ushqime

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë tha se mijëra persona kanë hyrë me forcë në depo të ndihmës në Gazë për të marrë ushqime dhe “gjësende të tjera elementare për mbijetesë”.

Thomas White, drejtor i agjencisë në Gazë, tha më 29 tetor se kjo hyrje në depotë e ushqimeve “është një shenjë shqetësuese se rendi civil ka filluar të prishet” pas tre javësh luftë mes Izraelit dhe Hamasit, që udhëheq me Gazën.

Gaza është e rrethuar dhe po përballet me sulme të vazhdueshme ajrore, detare dhe tokësore nga Izraeli, që kur Hamasi kreu sulm në Izrael më 7 tetor, duke vrarë mbi 1.400 persona.

Izraeli ka bllokuar furnizimet me karburante, ujë dhe rrymë për në Gazë, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë. Autoritetet izraelite kanë lejuar vetëm një pjesë të vogël të ndihmës për palestinezët që ka hyrë nga pikëkalimi Rafah, që lidh Gazën me Egjiptin.

Numri i viktimave në Gazë u rrit të dielën, duke arritur mbi 8000. Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se shumica e viktimave janë gra dhe të mitur. Po ashtu, sipas kësaj ministrie, vlerësohet se 1.700 persona vazhdojnë të jenë të bllokuar nën rrënoja të ndërtesave të shkatërruara.

Mbi 1.4 milion banorë në mbarë Gazën janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe gjysma janë strehuar në shkollat dhe strehimoret e Kombeve të Bashkuara pas paralajmërimeve të ushtrisë izraelite se do të jenë në rrezik nëse qëndrojnë në pjesën veriore të Gazës. Askush nuk është lejuar të largohet nga territori i rrethuar dhe Izraeli ka lejuar vetëm pak ndihma ushqimore dhe shëndetësore të hyjnë nga Egjipti.