Aktualitet Politikë

S’ka rritje çmimi dhe kufizime të energjisë elektrike, Rama prezanton planin me 3 pika për përballimin e krizës energjetike!

Qeveria shqiptare ka vendosur të mos rrisë çmimin e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël, si dhe të garantojë furnizim të pandërprerë me energji për të gjithë shqiptarët.

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të shtunë planin për përballimin e krizës energjetike, prej ku deklaroi se ky plan parashikon tre pika thelbësore, që janë:

-Furnizimi pandërprerë për të gjithë me energji elektrike
-Mbrojtjen e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit të energjisë
-Garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike. 100 milionë euro për OSHEE këtë vit dhe 110 milionë euro të tjera në fillim të viti tjetër.

Më tej, Rama theksoi se: “ Duke refuzuar kategorikisht çdo pretendim se kjo krizë e rëndë nuk ekziston, nuk ka lidhje me Shqipërinë, dhe duke thënë se kjo krizë mund të jetë me pasoja monetare të rënda për vendin, unë ju them: plani ynë i kundërveprimit nuk parashikon rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë, bizneset e vogla. Stuhia e kësaj krize, sipas ekspertëve, parashikohet ta ketë fazën e saj agresive deri në verën e ardhshme. Plani ynë mbulon pikërisht këtë periudhë, ndërkohë që qeveria po përgatit një konsultim kombëtar”, duke shtuar se “Këto vitet e fundit jeta për ju dhe për mua ka qenë e e përcaktuar nga ngjarjet se nga planet. Këto lënë gjurmë në mendje dhe shpirt. Dua t’u them 2 gjëra: Ndihuni mirë që ia keni dalë dhe kini besim se do ia dilni gjithmonë e më mirë”.

Pse nuk rriten rrogat?

Kryeministri u ndal edhe në akuzat se pse rrogat nuk rriten, duke pranuar indirekt se ecuria ekonomike nuk ka qenë e mjaftueshme për të mundësuar një rritje të pagave, që edhe sot janë më të ulëtat në rajon.

Rritja e pagave e pensioneve nuk bëhet e pabazuar në ecurinë ekonomike të vendit, tha Rama. Kjo do të thotë të vrasësh të nesërmen, duke ecur symbyllur në të sotmen.

Rama tha se çmimi i energjisë për konsumatorët familjarë aktualisht është ndër më të lirët në rajon. Çmimi që e blejnë konsumatorët nuk është ai real, por është i kontrolluar nga shteti, në mënyrë që të mbrohen konsumatorët.

Rama tha se pensionistët që jetojnë vetëm dhe shtresat e varfra marrin një kompensim për energjinë për 187 mijë familje për 126 milionë dollarë në vit.

Ai tha se nëse pagat e pensionet rriten menjëherë, atëhere shteti do të falimentonte brenda dy vitesh dhe do të hynim në një krizë urie brenda vitit nëse paga minimale bëhej 500 euro.

Rama tha se nëse duam tu ngjajmë vendeve që kanë më shumë sesa ne, duhet të kemi parasysh se ata kanë punuar shumë për të rritur produktivitetin në ekonominë e tyre.