Sociale

“S’mban më ujë pilafi”, rikthehen protestat për rritjen e çmimeve

Rikthehen protestat në vend kundër rritjes së çmimeve. Qytetarët kanë organizuar përmes thirrjeve në rrjetet sociale se të mërkurën pasdite do të mbajnë një protestë.

Në njoftim në rrjete sociale thuhet se protesta do të mbahet pas dy ditësh në orën 18:00.

Pikënisja e protestës, thuhet në njoftim, do të jetë sheshi Skënderbej ndërkohë më pas qytetarët pritet të marshojnë drejt kryeministrisë. “S’mban më ujë pilafi. Protestë kundër rritjes së çmimeve”, thuhet në njoftimin e shpërndarë në rrjet.

Qytetarët dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë protestuar edhe më herët p para Kryeministrisë, kundër rritjes së çmimeve. Duke sfiduar edhe reshjet e shiut, gjatë marsit dhe muajit prill, ata kërkuan uljen e çmimeve të produkteve të shportës, naftës dhe gazit.

“Kjo nuk është një protestë e x apo y, por për drejtësi sociale. Është një protestë kundër rritjes së shportës, karburantit, gazit. Kjo është një protestë për barazi. Kjo është një protestë kundër koncesioneve. Kjo është një protestë për meritokracinë që fëmijët e këtij vendi të mos ikin më në emigrim. Por ka shpresë se sot edhe në shi, se sot të sulmuar dhe nëpërkëmbur, por jemi këtu. Mos e harroni jemi duke mbajtur gjallë flakën për të mos e humbur dhe dorëzuar,” deklaroi atë kohë aktivisti Adriatik Lapaj.