Aktualitet Sociale

Me shoqërinë civile, Veliaj: Falë jush kemi zgjidhur shumë problematika sociale!

Shoqëria civile ishte grupimi i radhës që u vlerësua nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj me certifikata mirënjohjeje për punën e bërë gjatë vitit që po lëmë pas. Në takimin me përfaqësues të saj, Veliaj u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin e deritanishëm.

Fundi i vitit është një moment i bukur për të festuar e gëzuar arritjeve, por është edhe një mundësi për të reflektuar, sidomos për ata që na ndihmojnë. Një shprehje shqiptare thotë: Trimi i mirë me shokë shumë dhe më vjen mirë që një pjesë të përgjegjësisë e ndaj me ju sepse askush nuk ia del dot i vetëm. Edhe në vendet më të zhvilluara, në Francë, në Angli, në Shtetet e Bashkuara, në Australi, ndjenja për të ndarë barrën, sidomos për çështjet sociale është parimi më i drejtë sepse askush nuk e ka monopolin, as të bamirësisë, as të zgjidhjes së problemeve.

Kryebashkiaku vuri në dukje se falë këtij bashkëpunimi të frytshëm, janë zgjidhur shumë prej problematikave sociale në Tiranë.

Të gjithë bashkë kemi një mision për ta çuar përpara qytetin dhe sigurisht sfida e një qyteti si Tirana, që rritet në mënyrë galopante është: A po rriten të gjithë njësoj? Mos kemi harruar dikë mbrapa pas tërmetit apo pandemisë? Ne nuk i dimë cilat janë hallet e njerëzve dhe ndoshta nuk do t’i dimë dot të gjitha hallet, por ajo që dimë është cilat janë zgjidhjet. Zgjidhjet janë menaxhim i çdo rasti, pa diskriminuar ngjyrën, pa diskriminuar prejardhjen, pa diskriminuar familjen, për t’u siguruar që në Tiranë ndihmohen të gjithë me dinjitet dhe respekt të plotë.

Po ashtu, Erion Veliaj vlerësoi profesionalizmin me të cilat janë ndjekur rast pas rasti këto problematika, duke nisur që nga solidariteti për një familje në nevojë e deri te trajtimi me strehim social i tyre.