Bota

Sondazh për maskat anti-COVID, shumica e gjermanëve pro mbajtjes!

Në Gjermani, shumica e qytetarëve vazhdojnë të mbështesin mbajtjen e detyrueshme të maskës në mjetet e transportit publik. Kjo del në rezultatet e një anketimi, ndërsa qeveria po diskuton një projektligj për rivendosjen e kësaj mase, në përpjekje për të përballuar pandeminë e koronavirusit gjatë vjeshtës e dimrit. Sipas sondazhit për llogari të agjencisë gjermane të lajmeve DPA dhe i realizuar nga instituti “YouGov”, rreth 63% e të anketuarve mbështesin rregullin e maskës së detyrueshme në mjetet e transportit publik.

Afro 58% e të pyeturve përkrahin mbajtjen e detyrueshme të maskës në udhëtimet në distanca të largëta me tren apo avion, ndërsa 24% e tyre ishin kundër këtij rregulli. Ndërkohë, një përqindje më e ulët njerëzish, rreth 46%, përkrahin idenë e mbajtjes së detyrueshme të maskës në hapësirat publike ose në dyqane. Po ashtu, vetëm 29%  e të anketuarve thanë se mbajtja e maskës duhet të jetë e detyrueshme në shkolla.

Mbështetja për këtë masë anti-COVID ndryshon ndjeshëm edhe në bazë të pikëpamjeve politike të të anketuarve. Kështu, mbështetësit e Partisë së Gjelbër janë pro mbajtjes së maskës, kurse kjo ide gëzon shumë më pak pëlqime në mesin e votuesve të partisë djathë Alternativa për Gjermaninë (AfD). Rreth 51% e të anketuarve në mesin e këtij grupi votuesish u shprehën në përgjithësi kundër mbajtjes së detyrueshme të një maske.

Javën e kaluar, ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach dhe ai i Drejtësisë, Marco Buschmann, prezantuan një sërë masash të reja kundër koronavirusit e që pritet të hyjnë në fuqi në vjeshtë. Mes të tjerash, projektligji i tyre përcakton që mbajtja e maskave të jetë e detyrueshme gjatë udhëtimeve me trena në distanca të largëta, gjatë udhëtimeve me avion, si edhe në spitale e qendra shëndetësore. Qeverive lokale të landeve gjermane do t’u duhet të vendosin vetë nëse do të kërkojnë mbajtjen e detyrueshme të maskave në ambiente të mbyllura.