Bota

Sondazhet e konfirmojnë: një pasagjeri në tre iu vonua fluturimi vitin e kaluar!

Sipas një sondazhi, edhe vitin e kaluar, trafiku ajror civil në Europë nuk ishte shumë i përpiktë. Në këtë përfundim del analiza e të dhënave nga portali Airhelp për të drejtat e pasagjerëve. Pavarësisht një orari të reduktuar të fluturimeve, 244 milion pasagjerë u prekën nga vonesat dhe anulimet e minutës së fundit. Nga një total prej 795 milion udhëtarësh, shifra korrespondon me pak më pak se 31%.

Krahasimi bëhet me vitin e fundit para krizës së koronavirusit, pra 2019-ën kur shifra ishte vetëm 24%, me 1,125 miliardë pasagjerë. Në veçanti sezoni i verës tregoi se aeroportet dhe linjat ajrore nuk ishin të përgatitura sa i përket personelit për rritjen e udhëtimeve ajrore si rezultat i pandemisë.

Sipas studimit, deri në 40% e pasagjerëve u përballën me probleme fluturimi gjatë muajve të verës. Referuar portalit Airhelp, Holanda ishte vendi me më shumë vonesa me 37%, e ndjekur nga Britania e Madhe dhe Gjermania së bashku, me 36% të pasagjerëve që pësuan vonesa.
Ekspertët e sektorit nuk prisnin një rimëkëmbje të tillë të trafikut ajror dhe një rritje e ngjashme që zakonisht kërkon 40 vjet, kësaj here u përqendrua në vetëm 4 muaj.

Aeroporti i Heathrow-t mori masa duke vendosur kufizime në sezonin veror 2022. Deri më 11 shtator nuk lejoheshin më shumë se 100 mijë persona në ditë për kalimet tranzit. Objektiv ishte reduktimi i radhëve, si dhe i vonesave në mbërritjen e bagazheve e anulimit të fluturimeve.
Britaniket British Airways dhe Easy Jet, holandezja KLM e gjermanja Lufthansa anuluan me mijëra fluturime korrikun e vitit të kaluar. Gatwick, i dyti aeroport i Londrës për nga madhësia, ka vendosur kufizime e për korrikun nuk lejon më shumë se 825 fluturime në ditë, ndërsa për gushtin, jo më tepër se 850. Para pandemisë ishin 950.

Në të njëjtën linjë po vepron edhe aeroporti i Schipol-it në Amsterdam të Holandës duke e fiksuar numrin maksimal të pasagjerëve në rreth 16% më pak se nivelet e 2019-ës. Ndërkohë, vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, në qershor u trefishuan anulimet e fluturimeve të minutës së fundit, krahasuar me të njëjtin muaj të 2019-ës.