Aktualitet

Soreca: “Largohem nga Shqipëria në prag të çeljes së negociatave!”

Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca shprehet besimplotë që po largohet nga Shqipëria “në prag të çeljes së negociatave, mundësisht në qershor”. Në një prononcim për gazetarët nga Erseka, Soreca tha:

Vitin e shkuar në qershor, Këshilli Europian vendosi që Shqipëria kishte plotësuar çdo kusht të kërkuar dhe të gjitha këto nuk kishin ndodhur në vitin 2018. Ishte pikërisht vizita e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell që theksoi faktin se ishte shumë e rëndësishme çelja e negociatave me Shqipërinë. I gjithë rajoni është shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e kjo për arsye të kërcënimit që na vjen nga gjithçka që ka ndodhur në Ukrainë.

Reforma në Drejtësi pati progres dhe falë progresit, sot flitet për konsolidimin e institucioneve të drejtësisë. Unë e njoh gjyqësorin, kjo dhe për shkak të punës sime të mëparshme e këto gjëra kërkojnë kohë. Gjërat po ecin, kemi institucione të drejtësisë, puna tashmë po bëhet! Procesi i vetting-ut do vazhdojë dhe vetëm dy ditë më parë kemi patur emërimin e gjyqtarit tjetër në Gjykatën Kushtetuese.

Sa i përket rritjes së çmimeve, diplomati europian u shpreh se “kjo ka ardhur si pasojë të luftës dhe jo sanksioneve”.

Jam plotësisht i vetëdijshëm mbi shqetësimin e shqiptarëve për rritjen e çmimeve të shportës  dhe karburantit. Eshtë shumë e rëndësishme të mbrohen familjet dhe bizneset e vogla, por kjo vjen për shkak të luftës e jo të sanksioneve që janë vendosur. BE-ja do të vazhdojë të qëndrojë krah Shqipërisë për ta ndihmuar, ashtu siç ka bërë edhe gjatë dy krizave që kaloi vendi gjatë 4 viteve të fundit, siç ishte tërmeti apo pandemia. Ju ndoshta e dini që 250 milion euro i ka dhënë BE-ja Shqipërisë për rimëkëmbjen ekonomike të vendit për pandeminë. Në rast se lufta do të vazhdojë, gjithashtu Bashkimi Europian do të vijojë me asistencën e tij.