Rajoni

Sot afati i fundit për largimin e institucioneve serbe nga objekti në Mitrovicë të Veriut!

Autoritetet në Kosovë kërkojnë që brenda ditës së sotme, katër institucione serbe të largohen nga një objekt në Lagjen e Boshnjakëve, me argumentin se i përket komunës së Mitrovicës së Veriut. Momentalisht, situata paraqitet e qetë.

Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit të Pensioneve dhe Invaliditetit, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale, prej kohësh përdorin këtë ndërtesë komunale.

Një aksion për largimin e këtyre institucioneve të Serbisë nga objekti në Mitrovicën e Veriut, fillimisht duhej të zhvillohej më 25 gusht, por u shty për dy javë.

Inspektorati komunal iu pati dërguar kërkesë që të lironin zyrat, pasi nuk kishin dorëzuar dokumente apo kontrata për të dëshmuar se kanë leje që ta shfrytëzojnë objektin.

Një ditë më parë, kreu i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç iu drejtua komunitetit ndërkombëtar, duke theksuar se paralajmërimi për largimin nga ky objekt i institucioneve serbe “mund të çojë në thellimin e krizës në veri të Kosovës dhe rritjen shtesë të tensioneve në terren”.

Në një letër, Petkoviç tha se të tilla veprime të “njëanshme dhe joligjore nga Prishtina, paraqesin provokim të rrezikshëm”, që sipas kërcënon të drejtat dhe jetën e popullit serb në veri të Kosovës.

Dy ditë më parë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës dhe që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, vuri në dukje se refuzojnë largimin.

Mitrovica e Veriut gjendet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe. Ajo është një prej katër komunave që nga prilli drejtohen nga kryetarë shqiptarë, të zgjedhur në votimet e bojkotuara nga popullata serbe.

Në fund të majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë, me ndihmën e policisë hynë në ndërtesat komunale.

Në korrik, qeveria e Kosovës ra dakord të ndërmerrte hapa drejt shtensionimit të plotë të situatës, përfshirë krijimin e bazës ligjore që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.