Aktualitet

Punimet në lotin 3, devijohet sot lëvizja e automjeteve në Unazën e Madhe

Sot devijohet lëvizja e automjeteve në Unazën e Madhe, për shkak ndërtimit të lotit 3. ARRSH Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se automjetet që do të vijnë nga Sheshi Shqiponja në drejtim të Pallatit me Shigjeta, pas daljes nga nënkalimi i “Ozone”, do të devijojnë majtas duke përdorur karrexhatën e re të rrugës kryesore të Lot-it 3, duke shmangur aksin kryesor deri pranë Mbikalimit te Pallatit me Shigjeta, e duke vazhduar më pas sipas orientimit ekzistues.

Njoftimi i plotë:

“Duke filluar nga dita e diel, 17.04.2022 ndryshon drejtimi i lëvizjes për mjetet në Unazën e Madhe për shkak të punimeve që po kryhen për ndërtimin e Lotit 3.

Automjetet që do të vijnë nga Sheshi Shqiponja në drejtim të Pallatit me Shigjeta, pas daljes nga nënkalimi i “Ozone”, do të devijojnë majtas duke përdorur karrexhatën e re të rrugës kryesore të Lot-it 3, duke shmangur kështu aksin kryesor deri pranë Mbikalimit te Pallatit me Shigjeta, e duke vazhduar më pas sipas orientimit ekzistues. Automjetet që përdorin aksin e rrugës dytësore djathtas, nuk do të kenë ndryshim të lëvizjes.

Automjetet që do të vijnë nga Mbikalimi i Pallatit me Shigjeta në drejtim të rruges “Teodor Keko”, do të devijojnë djathtas duke përdorur karrexhatën e re të rrugës dytësore të Lotit 3, duke shmangur kështu aksin kryesor deri pranë nënkalimit të O-Zone, e duke vazhduar më pas sipas orientimit ekzistues në Lotin 2.

Për automjetet që do të kenë destinacion Yzberishtin, Bulevardin “Migjeni”, “Kombinatin” nuk do të ketë ndryshime në qarkullim”, njofton ARRSH.

Theksojmë se tenderët 129 mln euro për ndërtimin e 7 loteve të fundit të Unazës së Madhe u mbyllën pa ankesa nga operatorët ekonomikë, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë shqyrtimit të ofertave dhe shpalljes së kompanive fituese. Ndërkohë, referuar dokumenteve të tenderit, punimet për realzimin e veprës do të duhet të zgjatin 2 vjet nga moment i nënshkrimit të kontratës.

3 prej tenderëve përfshinin ndërtimin e segmentit nga sheshi Shqiponja te Bulevardi i Ri dhe urat mbi lumë, me një kosto prej 7.42 mld lekë apo 61.3 mln euro, me një gjatësi prej rreth 3 km. Ndërkaq, 4 lotet e tjerë përfshijnë ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, me një kosto totale prej 67.7 mln euro.

Ky segment fillon pas lotit 3, në afërsi të Shkozës, që aktualisht është duke u ndërtuar , duke zbritur në faqen veriore të Kodrës së Priftit e më pas Unaza hyn në zonën e Kinostudios. Më pas segmenti vazhdon drejt veriut, zbret drejt lumit të Tiranës e më pas bëhet bashkimi me segmentin Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa Kamëz. Ndërtimi i këtyre segmenteve do të bëjë edhe bashkimin e të Unazës, teksa duket se do të jetë një ndër investimet publike më të mëdha përgjatë 2 viteve të ardhshëm.