Aktualitet Art & Kulturë

Sot Dita Botërore e Radios, rilindja e Top Albania Radio-s!

Në shoqërinë moderne, radiot janë një  teknologji e zakonshme. Radion sot mund ta kesh në makinë, në shtëpi apo edhe në telefon.

Në fakt, në ditët e sotme do të ishte e vështirë të gjeje qoftë edhe njeri që nuk ka dëgjuar, parë, ose përdorur një radio në jetën e tij. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu.

Para shekullit të 19-të, komunikimi  me valë i radios konsiderohej vetëm një fryt i fantazisë. Edhe pas zhvillimit të radios në fund të viteve 1800, u deshën shumë vite para se radiot të përhapeshin dhe të ktheheshin në një pajisje që ndodhej në çdo shtëpi.

Historia e radios është  një histori tërheqëse që ndryshoi mënyrën se si bota ndërlidhej dhe komunikonte  në distanca  të vogla dhe ato shumë të largëta.

Teknologjia e Radio nisi fillimisht si një “telegraf wireles” ndërsa më vonë do të përdorej për transmetim programesh. Fillimet e veta teknologjia i ka që prej vitit të largët 1830 kur James Clerk Maxwell tregoi në teori dhe forma matematikore sesi valët elektromagnetike mund të udhëtonin në hapësirë.

Transmisioni i parë i sinjalit radio përmes valëve elektromagnetike u bë nga David Edward Hughes në 1880 që u konfirmua më pas edhe nga Heinrich Rudolf Hertz. Do të duheshin edhe 20 vite të tjera që termi “radio” të pranohej universalisht.

13 Shkurti është caktuar si dita ndërkombëtare e Radios sepse këtë datë të vitit 1946 Kombet e Bashkuara kanë themeluar Radion zyrtare.

Një datë më pas 14 shkurt në ditën e shënuar të dashurisë, lindi Top Albania Radio.

Ishte dhe një periudhë kur Shqipëria sa kishte nisur të mëkëmbej nga troshitja që i bëri vetes më 97-ën. Sakaq ishte dhe fund-dimri. Pranvera që po afrohej nuk ishte ajo e një viti më parë, por trishtimi ndër njerëz ishte akoma prezent. 14 shkurt 1998, në 100 mgh/fm, dëgjohet “Top Albania Radio”.

Që prej asaj dite, ky konstelacion me tre fjalë do të hynte në historinë e Shqipërisë si një faqe e re e saj, e revolucionit mediatik-audiovizual, që do të përfaqësohej fillimisht nga kjo radio e më pas nga “Top Channel” e “DigitAlb”.

Shumë shpejt, nga një radio ajo do të shndërrohej në fenomen, aq sa për banorin jo kryeqytetas, të shkoje në Tiranë do të thoshte të dëgjoje dhe “Top Albania Radion” për disa ditë apo për disa orë. Pa diskutim, kjo radio ishte një ndër evenimentet më të rëndësishme të 1998-ës për Shqipërinë, ndonëse një iniciativë private e një të riu me endrra mbi median e re në Shqipëri dhe fillimisht një radio ndryshe nga të tjerat. Ai ishte Dritan HOXHA.

Ai e konsideroi Radion dashurinë e parë të ëndrrës së tij të vjetër. Tashmë kishte prekur fillin e një suksesi, që do të ngacmonte tek ai, në mënyrë të vazhdueshme, vetëm ide dhe risi.

Ky medium radiofonik tashmë është shndërruar në radion më të suksesshme në vend, me muzikën më të zgjedhur shqiptare dhe të huaj dhe me edicionet informative të cilat transmetohen çdo 60 minuta me lajmet më të fundit nga vendi dhe bota, por dhe me një larmi programesh kulturore e sportive.