Aktualitet

Sot kremtohet Kurban Bajrami, besimtarët myslimanë mbushin sheshet

Besimtarët myslimanë kremtojnë sot Kurban Bajramin. Ceremonia nisi herët në mëngjes, ku, ndryshe nga një vit më parë, qindra besimtarë myslimanë falën namazin në Sheshin Skënderbej dhe dhjetëra të tjerë festojnë dhe kryejnë faljet në çdo qytet të vendit.

Ndërkaq, Kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu ka përcjellë urimin për të gjithë besimtaret myslimanë për festën e Kurban Bajramit, dita më e rëndësishme në kalendarin mysliman.

Spahiu, në fjalën e e vui theksin te familja, si bërthama e shoqërisë, ku tha se duhet të kthehet vëmendja dhe të ketë reflektim, ndërsa kërkoi më shumë dashuri e harmoni mes njerëzve.

“Të dashur motra dhe vëllezër, sot jemi mbledhur për të festuar Kurban Bajramin, festa që simbolizon dashurinë e njeriut ndaj Zotit të Gjithësisë. Kjo festë mbart kuptim dhe vlera të larta. Festat në Islam nuk janë festa konsumi, janë adhurim dhe gëzim njëkohësisht, Kurban Bajrami është festa që na kujton se sa e lartë duhet të jetë devocioni i njeriut ndaj Krijuesit të gjithësisë.

Jeta e njeriut është një rrugë kalim nga kjo botë për në botën e përtejme. Në shoqërinë e sotme moderne, jeta është shumë e vrullshëm, ngut për të arritur gjëra materiale edhe pse e dimë që ato nuk do i mbeten askujt. Dua të sjellë në vëmendje lënien në harresë të familjes, ditë si kjo e sotmja duhet të shërbejnë për të reflektuar. Ne shohim se si rastet te dhunës në familje rriten, kjo është e papranueshme, fjala divorc po kthehet në diçka normale për çiftet.

Shqetësuese është sjellja ndaj prindërve. Mos i lini vetëm, kujdesuni për ta. Këto fenomene janë kambanë alarmi të asaj që po vjen, ne e kemi detyrim ta ndalim atë, nuk ka rrugë tjetër përveç kthimit të vëmendjes te familja. Ne duhet ta ruajmë me fanatizëm familjen. Familja është bërthama e shoqërisë njerëzore. Ushqeni dashuri ndaj njëri-tjetrit, t’i lutemi Zotit të na udhëzojë në rrugën e drejtë” tha Spahiu.

Festime për Kurban Bajramin ka sot në të gjithë vendin, ku në Vlorë ceremonia e faljes së Kurban Bajramit nisi herët në mëngjes, ku dhjetëra besimtarë myslimanë falën namazin në sheshin para xhamisë së Plumbit. Kreu i Myftinisë së rrethit Vlorë,Armand Asllani , në fjalën e tij theksoi dhe kërkoi më shumë dashuri e harmoni mes njerëzve.

Në Fier, në orët e para të mëngjesit, besimtarët kanë falur Namazin ne xhaminë e qytetit, ndërsa krerët myslimanë të myftinisë kanë përcjellë urime për paqe dhe harmoni mes njerëzve. Namazi u fal në orën 07:10, ndërsa ceremonisë së faljes i parapriu me fjalën e tij myftiu i Fierit, Mikel Hazizolli. Ai përcolli mesazhin për më shumë paqe dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, e sidomos për më shume besim, duke konsideruar njeriun si pasurinë më të madhe të krijuar nga Zoti.

Ne Berat, falja e namazit është organizuar në pedonalen e qytetit, ku qindra besimtarë myslymanë kane kryer faljen e kurban Barjamit. Faljen e namazit e beri imam Ainald Mali.

Në Lushnje, falja e namazit është mbajtur në sheshin kryesor të qytetit para bashkisë. Në këtë ditë të shënuar për fenë islame, faljen e drejtoi imami ë xhamisë, Genti Hyka.

Pas faljes, besimtarët e pranishëm shkëmbyen mesazhe të shumta urimi ndërmjet tyre.

Top Albania Radio uron të gjithë besimtarët gëzuar festën e Kurban Bajramit.