Bota

Sot mbushen 75 vite nga krijimi i OKB

Sot mbushen 75-vjet nga krijimi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më 24 Tetor 1945. Fillimisht ishte 51 numri i vendeve themelues dhe në vite janë shtuar 142 të tjerë. Qëllimi kryesor i OKB është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet kombeve, zhvillimi ekonomik,, dhe ruajtja e sigurisë dhe e paqes në botë.

Ideja e krijimit të një organizate të re universale dhe emërtimi “Kombet e Bashkuara”, u rimor në shqyrtim në Konferencën e Ministrave të Punëve të Jashtme të SHBA, ish-Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë së Madhe, që u zhvillua në Moskë me 19 deri 30 tetor të vitit 1943.

Me 26 qershor 1945 u miratua Karta e Kombeve të Bashkuara, e cila hyri në fuqi me 24 tetor 1945. Kjo datë u shpall si Dita Ndërkombëtare e OKB-së. Mes 193 shteteve, Shqipëria është anëtare prej 14 Dhjetorit 1955 e pranimi pasoi një dekadë përpjekjesh për të siguruar të drejtën e anëtarësimit, si zbatim i parimit të universalitetit të kësaj organizate të madhe botërore.

Aktualisht, vendi ynë ka paraqitur kandidaturën për anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit për vitet 2022-2023, për të cilën, siç bën të ditur kryeparlamentari Gramoz Ruçi, po fitojmë gjithnjë e më shumë mbështetje ndërkombëtare.