Sport

Sot në 18:00 miqësorja Shqipëri-Gjeorgji; luhet në “Air Albania”

Gjeorgjia do të jetë testi i dytë për Shqipërinë në një sfidë miqësore që luhet në orën 18:00 në stadiumin “Air Albania”. Kuqezinjtë vijnë në këtë përballje pas humbjes 2-1 ndaj Spanjës.

Trajneri Edi Reja ka paralajmëruar ndryshime të mëdha në formacion, të diktuara edhe nga mungesa e disa lojtarëve si dhe ka shtuar se Gjeorgjia është një skuadër shumë e organizuar dhe e përgatitur mirë taktikisht dhe teknikisht.

Qendra e mbrojtjes nuk pritet të ketë shumë ndryshime, ndërsa krahët do të plotësohen me Roshin nga e djathta dhe Lenjanin nga e majta.

Mesfusha do të jetë tërësisht e re, me Asllanin, Ramadanin dhe Çekiçin, ndërsa në sulm do të jetë dyshja Broja–Manaj.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë përballë Gjeorgjisë.

Shqipëria: Strakosha; Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla; Roshi, Ramadani, Asllani, Cekici, Lenjani; Broja, Manaj.

Po sot në 18:00 në Cyrih, Kosova luan ndeshje miqësore me Zvicrën. Kjo është hera e parë që Dardanët luajnë me Helvetikët dhe natyrisht pritet të jetë një ndeshje e veçantë.

E veçantë pasi fanelat e Zvicrës mbahen nga lojtarë si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Andi Zeqiri dhe Admir Mehmedi, që të katër lojtarët janë shqiptarë, por të lindur e të rritur në shtetin evropian.