Aktualitet

“Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave”, OKB ka një mesazh!

25 Nëntori, Dita Botërore e Eliminimit të Dhunës Kundër Grave. Në këtë datë zhvillohet fushata 16-ditore e njohur si “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila përfundon në 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Fushata UNiTE e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara fton qeveritë, agjencitë e Kombeve të Bashkuara, organizatat e shoqërisë civile dhe individë nga të gjitha vendet e botës në përpjekje të përbashkëta për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Ky vit nuk është si asnjë tjetër. Edhe para goditjes së COVID-19, dhuna ndaj grave dhe vajzave kishte arritur përmasa pandemike. Globalisht, 243 milionë gra dhe vajza u abuzuan nga një partner gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, më pak se 40% e grave që përjetojnë dhunë e raportojnë atë ose kërkojnë ndihmë.

Në Twitter, Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres shkruan: “Dhuna kundër grave e vajzave është emergjencë globale që kërkon veprim urgjent në të gjithë nivelet, në të gjitha hapësirat e nga të gjithë njerëzit”. Guterres përsërit apelin që njëherë e përgjithmonë t’i jepet fund asaj që e cilëson “pandemi hije”.