Politikë

Spahia: Prokuroria të hetojë urgjent fshehjen e numrit të viktimave nga Covid-19

Partia Demokratike akuzoi sërish sot qeverinë për mosdeklarim të qëllimshme të shifrave reale të viktimave nga koronavirusi. Sipas Selisë Blu, kjo bëhet për të fshehur faktin e dështimit me pandeminë. Ish deputeti Bardh Spahia i kërkoi prokurorisë të hetojë denoncimin.

I bëjmë thirrje edhe një herë Prokurorisë dhe SPAK që të mos rrinë duarkryq dhe të lejojnë zhdukjen e provave, por të nisin urgjentisht hetimin. Kjo është e vetmja mënyrë që e vërteta të mos fshihet, të bëhet publike për qytetarët dhe përgjegjësit të japin llogari përpara ligjit. Është e turpshme përpjekja e Edi Ramës për t’ju shmangur përgjegjësisë për dështimin katastrofik me pandeminë, si dhe për t’u fshehur pas punës heroike të mjekëve dhe infermierëve shqiptarë. Partia Demokratike çmon lart punën dhe sakrificat që po bëjnë mjekët dhe infermierët gjatë kësaj pandemie të tmerrshme, dhe dënon përpjekjet e Edi Ramës për të keqpërdorur politikisht kontributin e tyre të jashtëzakonshëm me qëllimin e ulët të fshehjes së të vërtetës për dështimin e tij” – u shpreh ish-deputeti demokrat, Bardh Spahia në një deklaratë për median.

Spahia theksoi se heshtja 48 orëshe e Prokurorisë shton dyshimet se qeveria po bën gjithçka për të manipuluar të vërtetën.