Bota

Spanja u jep të rinjve nga 400 €, për t’i shpenzuar për libra, kinema e teatër!

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, njoftoi se vitin e ardhshëm, adoleshentëve që mbushin 18 vjeç do t’u jepet një kartë me vlerë 400 euro, për ta shpenzuar vetëm për libra, koncerte dhe biletata kinemaje.

Kjo është pjesë e një skeme të re mbarëkombëtare mbeshtetjeje ekonomike prej 200 milion €.

Përafërsisht 500,000 adoleshentë kanë të drejtë të marrin kartën vitin e ardhshëm, e cila  jepet nga Ministria e Kulturës dhe Sportit e Spanjës.

Ministri spanjoll i kulturës, Miquel Iceta Llorens, shpjegon:

 “Është si një dhuratë për ditëlindjen e 18 -të dhe do të më pëlqente shumë nëse do ta shpenzonin për opera ose për ndonjë koncert të muzikës klasike.”

Kur shpalli skemën, Kryeministri Sánchez tha se masa do të përmirësonte qasjen e të rinjve drejt kulturës, ndërsa do të ndihmonte gjithashtu industrinë spanjolle të kulturës, e cila ka vuajtur financiarisht gjatë pandemisë COVID-19.

Si Franca ashtu edhe Italia kanë prezantuar skema të ngjashme, por Spanja është e para që ka vendosur ta bëjë realitet.

Njoftimi vjen gjithashtu disa ditë pas një subvencioni tjetër i cili do t’u japë 18 deri 35-vjeçarëve me të ardhura mesatare një zbritje mujore prej 250 € nga qiraja e tyre.