Aktualitet

Standard&Poors rikonfirmon vlerësimin B+ për ekonominë shqiptare!

Në rishikimin më të fundit, Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit Standard&Poor’s, S&P konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në B+ dhe me “perspektivë të qëndrueshme”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj:

Agjencia vlerëson se ekonomia do të ringrihet gjatë këtij viti dhe parashikon rritje ekonomike prej 5% e se deri në fund të 2021, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) do të rikuperohet në nivelet e 2019-ës, para pandemisë.

Vlerësohet hartimi i strategjisë afatmesme për të rritur mbledhjen e të ardhurave, si dhe reforma për të siguruar miradministrim fiskal dhe modernizuar sistemin ekzistues fiskal.

Agjencia pret që deficiti fiskal, i cili u rrit fort në 2020 do të fillojë të ulet që nga 2022 e do të kontribuojë që niveli i borxhit publik ndaj PBB-së të fillojë të ulet ndërsa ekonomia rikuperohet dhe shpenzimet për masat kundër pandemisë do të shuhen.

S&P vlerëson se autoritetet synojnë të shfrytëzojnë çdo hapësirë fiskale për të vijuar me pagimin e detyrimeve të prapambetura, të akumuluara në vitet e mëparshme, në veçanti vëmendja ndaj zerimit të stokut në rimbursimin e TVSH-së.

Agjencia shprehet:

Humbjet në të ardhura, shpenzimet shtesë të lidhura me pandeminë, si dhe ato kapitale të rritura bënë që deficiti në 2020-ën të zgjerohej në rreth 6.8% të PBB-së nga 1.9% në 2019-ën. Buxheti i rishikuar 2021 targeton të njëjtin nivel deficiti në raport me PBB-në dhe një vijimësi të shpenzimeve kapitale të larta.

Agjencia projekton që raporti i borxhit të përgjithshëm të qeverisë ndaj PBB-së pasi të kulmojë në rreth 78% të PBB-së këtë vit, pritet të bjerë nga 2022-shi e më tej ndërsa ekonomia rikuperohet dhe shuhet gradualisht efekti i masave mbështetëse.

Agjencia e konsideron relativisht të lartë këtë nivel borxhi, si dhe vlerëson se është i ekspozuar ndaj rreziqeve të mundshme fiskale.

Ndër të tjera S&P vlerëson se me rreth 28% në 2018-ën, raporti fiskal i të ardhurave ndaj PBB-së së Shqipërisë është më i ulëti në Ballkanin Perëndimor. Sipas agjencisë, niveli i atribuohet evazionit fiskal, shkallës së lartë të informalitetit në ekonomi dhe përjashtimeve të ndryshme tatimore në Buxhet.

S&P shprehet se autoritetet po ndjekin në mënyrë aktive përpjekjet për të përmirësuar profilin e borxhit publik që aktualisht karakterizohet nga risku i rifinancimit dhe ai i kursit të këmbimit. Kjo duke qenë se rreth gjysma e borxhit publik është e denominuar në monedhë të huaj. Kohët e fundit, maturiteti mesatar i borxhit publik është rritur por mbetet relativisht i shkurtër, në 4.5 vjet.