Film & Tv

“Succession” (Sezoni i Fundit) Nëse nuk e keni parë, nuk e keni idenë çfarë keni humbur! Kritikë.

Më 12 Korrik u shpallën kandidaturat e çmimeve Emmy dhe “Succession“, sezoni i fundit i serialit të shumë-për-folur të HBO (Max) arriti të mblidhte 27 kandidatura. Gjasat janë që në ceremoninë e Shtatorit (përditësim: Ceremonia është shtyrë për shkak të grevës së aktorëve dhe skenaristëve në Los Angeles), protagonistët dhe realizuesit e tij të marrin shumicën e statujave, dhe nëse si marrin, do bëhet nami në rrjet, e nëse s’bëhet, do habitesha shumë. Sepse sezoni i fundit i një seriali që në vetëm 4 sezone apasoionoi miliona shikues nga e tërë bota, është thjesht PERFEKT. Është një rreth vicioz i cili në çdo aspekt mbyllet në mënyrë simetrike mrekullisht.

Shënim i Autorit: Nëse nuk e keni parë ende serialin, ky shkrim përmban të informacione treguese për historinë dhe personazhet.

“Succession” është historia e Logan Roy-t, një magnati të medias dhe argëtimit në SHBA dhe betejës së fëmijëve për të trashëguar biznesin e të atit. Në katër sezonet e tij, edhe pse jo gjithmonë ishte i kuptueshëm (sa e sa meme në rrjetet sociale me: çfarë dreqin po thonë), çdo aspekt i këtij seriali ishte jashtëzakonisht joshës (një nga trendet që erdhi mbas Succession ishte moda e heshtur dhe suksesi i markave që nuk kanë shënime në veshjet e tyre, të cilat në katër vitet e fundit u bënë shumë popullore; Loro Piana, Brioni, The Row etj). Fundi ishte qershia mbi tortë; thonë se fundi i një seriali televiziv është i suksesshëm vetëm atëhere kur publiku gjendet në qoshe duke menduar se ky është i vetmi fund i kësaj historie. Dhe ky është pikërisht ai rast. Në 90 minutat e fundit të “Succession” – showrunner-i Jesse Armstrong i vë kapakun ideal, krijimit të tij briliant i cili përmban telenovelën, satirën dhe tragjedinë Shekspiriane njëkohësisht, duke triumfuar!

Në këtë epilog, mbas humbjes së Roy-t të madh, trashëgimtarët e tij i gjejmë në një luftë të shpallur e të pashpallur për atë që do të zërë karrigen e pushtetit, duke na treguar korrupsionin e thellë të perandorive të biznesit amerikan të shekullit të 21, medias dhe politikës. Në erën e Murdoch-ëve dhe Trump-ëve ajo që shikojmë tek “Succession” janë në fakt ato që lexojmë në artikujt e të dyja anëve mediatike të një vendi i cili proklamon demokraci dhe meritokraci në shetete më pak të fuqishme se ai vetë, por që në fakt është më krrundje se këto vende të quajtura “të prapambetura”.

Në katër sezone të serialit kemi mundur të shohim të gjithë pinjollët e familjes dhe sfumaturat e tyre që na kanë bërë t’i duam dhe t’i urrejmë në të njëjtën kohë. Ky sezon i katërt, në zemër të tij ka Connor Roy-n (Alan Ruck), të paktën deri në gjysmë. Më pas vëmendja spostohet tek Shiv (Sarah Snook), Roman (Keiran Culkin) dhe padyshim Kendall (Jeremy Strong). Të tre këto personazhe arrijnë të plotësohen si rrallë herë ndodh me protagonistët në një serial televiziv, edhe nëse ky i fundit ka qënë i shkëlqyer.

Që në fillimet e tij “Succession” rrezikonte të ishte historia e një djali egoist, me shumë më pak talent, helm dhe zotësi se i atí, që dontë t’i rrëmbente perandorinë që ky i fundit kish krijuar, për t’u përpirë nga vetë ajo shpejt. Një trill artistik që shumë thanë ishte bazuar në historinë mo-ta-mo të familjes së Murdoch-evë (Pronarët e Fox-it (ndër të tjera) në SHBA & Botë). Mirëpo rrugës, ishte apo nuk ishte Logan Roy prezent prej mishi dhe kockash, ky serial tregoi se ishte shumë më shumë se një histori lakmie, thellësisht një dramë familjare e shkruar dhe ekzekutuar aq bukur. Hijes së babait të tyre, 4 trashëgimtarët e tij nuk i shpëtuan në asnjë moment, edhe në momentet e fundit përpara titrave.

Fundi i “Succession” është kthimi në fillim, dinamikat e njëjtat të fillimit, atëhere kur Logan ishte në grahmat e fundit, dhe kur Kendall, Roman, Shiv dhe më pak Connor duhet të ndanin kush do t’i zinte vendin. Rëndësia e babait të tyre, në jetën e secilit është e tillë që që nga momenti kur ai vdes vërtet – nga mesi i sezonit – asnjëri prej tyre nuk shpëton prej tij. Jo vetëm personazhet kryesore por edhe ato mbështetëse si Tom (Mattew Macfadyen) apo Greg (Nicholas Braun) janë të dëshpëruar të bëjnë paqe me mungesën e Logan, ata vazhdojnë veprojnë njësoj sikur kërkojnë të marrin pëlqimin e tij. Pesha emocionale që ai ka lënë tek fëmijët është e pa-tjetërsueshme. Kështu personazhet, seriali vetë, futet në një vrimë të zezë nga e cila vështirë të dalë – në katër sezone, asnjë mësim i nxjerrë.

Thonë që pritshmëria e mban një serial gjallë – në rastin e “Succession” – kjo nuk qëndron, sepse personazhet aty kanë një ‘stanjacion’, kanë vetëm një qëndër gravitacionale, si i tillë edhe sikur  ta shohësh tani që gjithçka ka mbaruar – shijimi është i njëjtë.

Në fund të sezonit të tretë, Roman dhe Shiv u kthyen më në fund në atë që babai i tyre [duket se] donte për ta – biznesmenë të vërtetë; në fund të sezaonit të katërt shikojmë, në fakt, se kjo rritje ishte një gënjeshtër idilike, se mbase babai i tyre nuk donte kurrë që ata të rriteshin, si për të përmbushur traumën e tij të vegjëlisë. Lufta civile e familjes së tyre, e nisur qysh prej fillimit, do të vazhdojë deri në momentin e fundit – dhe mbase skena e fundit është ajo që i rrit vërtetë ata – ajo që i tregon vendin. Askush prej tyre nuk fiton, pavarësisht sa manovra alla Logan Roy përpiqen të bëjnë, sepse asnjëri prej tyre nuk është si magnati, tashmë i munguar. Janë copëza të tij të cilat përplasen në mënyrë të vazhdueshme dhe kaotike njësoj si copat e imta të një reaksioni kimik të diçkaje shpërthyese. Njësoj si në sezonin e parë – kur babai i tyre ishte afër vdekjes – në të katërtin duhej vdekja e tij për të nxjerrë fytyrat e tyre të vërteta; me plot kuptimin e fjalës.

Roy-t janë copëzat e një formueseje të projektuar me ndërgjegjje ose jo nga një njëri tejet kompleks (është e vështirë të gjesh një fjalë të vetme për të përshkruar Logan Roy-n, po aq sa për aktorin briliant që e interpreton atë – Brian Cox). Ata janë për njëri-tjetrin diçka që babai [ ose prindërit] i tyre nuk ishte kurrë për ta, një tokë e qëndrueshme ku të shkelin. Pllaka të vendosura sipër njëra tjetrës – të cilat në momentin që duan të dalin mbi atë që kanë poshtë shkaktojnë tërmete fatale të cilët do ti ndryshojnë ata përgjithmonë.

Në thelb “Succession” ishte historia e një njeriu të çartur, fuqisë së tij për të ndërtuar një perandori mediatike të fortë mjaftueshëm sa për të kontrolluar shkallët më të larta të demokracisë amerikane si edhe faktit që froni i kësaj perandorie (Waystar Royco) i takonte atij dhe vetëm atij – ose nëse nuk do të ishte ai – një buratini të komanduar. Ndryshimi mes fëmijëve të Logan Roy dhe dhëndrit të tij fitimtar në fund, Tom, ishte se ky i fundit ishte aq i verbuar nga shkëlqimi i kurorës së mbretit sa nuk i shihte, ose bënte sikur, litarët komandues.

“Succession” është një film televiziv i cili tregon, mbase më mirë se shumë të tjerë të vërtetën mbas pushtetit, parasë dhe shkëlqimit, atë që shumë prej nesh e harrojnë të verbuar nga shkëlqimi i [pseudo] kurorave që sot i shohim shpesh e më shpesh.

Është aq e lehtë të humbasësh veten në rrugën për pushtet dhe para, e vetmja mënyrë për ta gjetur, është ti humbasësh të gjitha.

E më pas të kesh guximin ta nisësh nga e para…