Bota

Sulm terrorist në Francë, tre të vrarë në një kishë

Rikthehet paniku i sulmeve terroriste në Francë. Tre vetë, mes tyre një grua u masakruan sot me thikë në kishën Notre-Dame të Nisës. Paraprakisht, mësohet se agresori u ndalua dhe u transportua në spital, por për momentin nuk ka detaje. Kryebashkiaku i Nisës, Christian Estrosi iu bëri thirrje qytetarëve të shmangin zonën.

Në Place Beauvau, selinë e Ministrisë së Brendshme të Francës po zhvillohet mbledhja e një grupi krize. Ndërkaq, punimet e Asamblesë Kombëtare nisën me një minutë heshtje në nderim të viktimave.

Vetëm pak javë më parë, Franca u trondit sërish nga një sulm terrorist pasi në afërsi të Parisit, një mësues u vra pasi iu kishte paraqitur nxënësve, karikatura të Profetit Muhamed. Madje, çështja e karikaturave ka çuar në përplasje Francë-Turqi. Ankaraja akuzon presidentin francez Macron për axhendë anti-islamike.