Bota

Sulmet ruse vazhdojnë të shënjestrojnë rrjetin elektrik ukrainas, SHBA përgatisin ndihmën e radhës!

Ndërsa forcat ruse vijojnë të bombardojnë infrastrukturën dhe ndërtesat, me luftimet që vazhdojnë në pjesën lindore të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gati ndihmën e re. Në fokus, rregullimi i rrjetit të energjisë elektrike, i dëmtuar rëndë në javët e fundit. Presidenti Zelensky, u bëri thirrje banorëve të bëhen gati për ndërprerje të energjisë, ndërsa temperaturat sa vijnë e ulen me afrimin e dimrit.

Qyteti i Dnjipros ka qenë shënjestër e sulmeve të natës së kaluar, siç bëjnë të ditur burime zyrtare. “Fabrikat e prodhimit janë shkatërruar, pati edhe shpërthime zjarri, por fatmirësisht nuk raportohen të plagosur. Forcat ushtarake ruse u tërhoqën nga rajoni i lumit Dnjepër më herët këtë muaj, por vazhduan të bombardojnë qyteza, fshatra dhe qytetin e Khersonit nga pjesët përreth.

“Sulmet e Rusisë në infrastrukturën energjetike përbëjnë gjenocid”. Kështu i cilëson Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, në një prononcim për rrjetin televiziv britanik, BBC. Sulmet në objektet kyçe kanë shënjestruar të gjithë kombin ukrainas dhe kanë qenë një përpjekje për të arritur te dorëzimi i Kievit.

Sipas Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gjenocidi përfshin “synimin për të shkatërruar, pjesërisht apo plotësisht, një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar. Rusia mohon se ka një qëllim të tillë në luftën e nisur në fund të muajit shkurt.  Ndërkohë, si pasojë e sulmeve të trupave të Rusisë, miliona persona në Ukrainë janë duke u përballur me ndërprerje të energjisë elektrike në kushtet e motit të ftohtë me temperatura të ulëta. Në anën tjetër, autoritetet ukrainase njoftojnë se janë duke vazhduar punën për të rregulluar dëmet në rrjetin elektrik, për të rikthyer energjinë në shumë zona të vendit, përfshirë Kievin.

Prokurori Kostin bëri të ditur se zyra e tij është duke hetuar më shumë se 49 mijë krime të luftës që prej nisjes së konfliktit, më 24 shkurt të këtij viti. Ai ka bërë thirrje për krijimin e një “gjykate ndërkombëtare ad-hoc”, siç u shpreh, të mbështetur nga “bota e qytetëruar” që kundërshton luftën, në mënyrë që Rusia të mbahet përgjegjëse për të gjitha veprimet në Ukrainë. Me urdhër të Putinit, forcat e Moskës sulmuan vendin fqinj, në emër të atij që për shefin e Kremlinit është “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.