Aktualitet

Sulmi kibernetik, operacion mirëmbajtjeje nga AKSHI!

Në vijim të masave për përballjen me pasojat e sulmit kibernetik, deri në mesnatë, mund të hasni vështirësi në aksesimin e faqeve online të institucioneve publike. Kjo për shkak të një operacioni mirëmbajtjeje nga ana e AKSHI-t. Në njoftimin zyrtar thuhet:

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit u bën me dije qytetarëve shqiptarë se sot në orën 14:00 deri në 23:59 do të kryejë një operacion mirëmbajtje të sistemeve dhe faqeve zyrtare të institucioneve publike. Kjo ndërhyrje në vazhdën e përballjes me pasojat e sulmit kibernetik, do t’i shërbejë përmirësimit të mëtejshëm në dhënien e shërbimeve publike online. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithëve nëse gjatë ditës së sotme mund të hasni vështirësi në aksesin e çdo faqeje publike.

Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, (AKSHI) Mirlinda Karçanaj informoi dje se “pas 14 ditësh nga sulmi kibernetik, më në fund, u bë e mundur që edhe administrata publike t’i rikthehet normalitetit”.

Përgjigjja e AKSHI-t në këtë betejë kibernetike ka qenë në dy fronte kryesore: rikuperimi i të gjitha sistemeve dhe infrastrukturave kritike qeveritare e paralelisht edhe izolimi i aktivitetit keqdashës.

Dart Team dhe Microsoft Threat Intelligence Center kanë udhëhequr këtë investigim forensic, jo vetëm  remote, por kanë sjellë këtu fizikisht ekspertët, janë pranë AKSHI-t, po punojnë me ne dhe kjo pas vlerësimit nga ana e tyre të qëllimit, si dhe kompleksitetit të këtij sulmi, që nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e vendit tonë.

Falë reagimit të shpejtë të sistemeve mbrojtëse dhe të stafeve teknike, nuk pati humbje të dhënash. Pavarësisht se sulmi ishte i një shkalle të lartë sofistikimi e sinkronizimi kundrejt sistemeve dhe infrastrukturave, u krye izolimi i menjëhershëm i tyre, duke zbatuar rigorozisht protokollet dhe politikat ndërkombëtare të sigurisë kibernetike, deri në vlerësimin dhe analizën e plotë të situatës. Sistemet u verifikuan një nga një, që të ishin të sigurt për çdo element para se të riktheheshin online e në funksionalitet.