Bota

Takim Iran-Rusi për të diskutuar bashkëpunimin përballë sanksioneve amerikane!

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, i tha sot homologut rus, Vladimir Putin se bashkëpunimi mes shteteve të sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i bën ata edhe më të “fuqishëm”. Në takimin e zhvilluar në Uzbekistan, Raisi deklaroi:

Marrëdhënia mes vendeve që janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, si Irani, Rusia dhe të tjera vende, mund të tejkalojë shumë probleme e t’i bëjë ato më të fuqishme. Amerikanët mendojnë se cilido shtet që sanksionojnë, iu ndalin hovin, por përshtypja e tyre është e gabuar.

Raisi shtoi se Republika Islamike është “seriozisht e vendosur për të zhvilluar marrëdhënie strategjike bilaterale” me Rusinë në fushat e politikës, ekonomisë, tregtisë e hapësirës ajrore.

Ky është takimi i dytë mes Raisit dhe Putinit në dy muajt e fundit, pasi presidenti rus vizitoi Teheranin më 19 korrik. Po ashtu, shefi i Kremlinit ka mbështetur forcimin e lidhjeve me Republikën Islamike të Iranit, duke thënë se “në nivel bilateral, bashkëpunimi është duke u zhvilluar në mënyrë pozitive”.

Ai shtoi se puna për një traktat mes dy shteteve, me qëllim forcimin e lidhjeve është pranë kompletimit dhe theksoi se “Moska do të dërgojë një delegacion sipërmarrësish në Iran, javën e ardhshme për të zhvilluar lidhje tregtare”.

“Ne jemi duke bërë gjithçka për ta bërë Iranin anëtar të plotë të Organizatës së Shangait për Bashkëpunim”, – vuri në dukje Putin, si referencë për anëtarësimin e Teheranit në këtë grup që përfshin, Kinën, Rusinë, Indinë, Pakistanin dhe katër shtetet të Azisë Qendrore, që kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Irani, një prej katër shteteve vëzhguese në këtë organizatë, ka aplikuar për anëtarësim të plotë më 2008-ën, por diçka e tillë i është vështirësuar pas përballjes me sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve te Bashkuara, për shkak të programit bërthamor. Shumë vende anëtare të Organizatës së Shangait për Bashkëpunim, nuk kanë dashur në mesin e tyre një vend të sanksionuar.