Aktualitet

Të dënuarit e burgut të Reçit, letër deputetëve të opozitës: Votoni Amnistinë Penale! (FOTO)

Rreth 200 të burgosur në burgun e Reçit në Shkodër i kanë dërguar një peticion deputetëve të opozitës për të miratuar amnistinë penale.

Përmes avokatit Anton Kosteri, të burgosurit i bëjnë thirrje deputetëve që të lënë pas ndasitë politike. Të burgosurit kërkojnë që amnistia të përfshijë uljen e dënimit minimalisht dy vite dhe e dyta i dënuari të konsiderohet personi që vendimi ka marrë formë të prerë deri në ditën që hyn në fuqi ligji.

Në letrën drejtuar deputetëve, ata thonë se ka tre vite që nuk është bërë amnisti dhe për shkak të kaosit në Kuvend nuk po përfitojnë të dënuarit siç është parashikuar në pr.ligj. Të dënuarit kërkojnë që të arrihet konsensusi mes palëve.

“Të burgosurit u janë drejtuar me një peticion deputetëve, konkretisht atyre të opozitës, që të miratohet Amnistia. Të burgosurit më kanë kërkuar që ta parashtroj këtë kërkesë në shenjë humanizmi dhe të lihet pas çdo lloj ndasie politike dhe deputetët të shkojnë dhe të votojnë në Parlament Amnistinë. Votimi i projektligjit për Amnistinë do ta ndajë atë deputet nga të gjitha mendimet se një kah i caktuar mund të ketë interes, gjë që nuk e mendojnë fare. Ata deputet që e votojnë këtë ligj do fitojnë jo vetëm preferencën e të burgosurve por gjithë popullit shqiptar. U kërkojmë deputetëve që të tregohen të përgjegjshëm dhe ta votojnë. Këtë kërkesë tonën do ta dërgojmë edhe në Parlament që të votohet sa më parë. Të burgosurit kërkojnë që Amnistia të përfshijë uljen e dënimit minimalisht dy vite dhe e dyta i dënuari të konsiderohet personi që vendimi ka marrë formë të prerë deri në ditën që hyn në fuqi ligji”, u shpreh avokati Kosteri.

Për miratimin e pr.ligjit për amnistinë penale duhen 84 vota, të cilat mazhoranca nuk i ka e vetme. Për shkak të kaosit, amnistia ka mbetur peng që prej muajit dhjetor pas palët nuk kanë arritur një dakordësi për miratimin e saj.