Sport

Teuta gjen fitoren, mposht Skënderbeun me rezultatin minimal!

Pas katër humbjeve radhazi dhe me fitoren që i mungonte prej datës shtatë dhjetor, Teuta është rikthyer te tre pikët e plota teksa ka mposhtur ashtu si në ndeshjen e Kupës me rezultatin 0-1, Skënderbeun.

Durrsakët iu falën një goli në pjesën e dytë nga ana e Lorenco Vilës i cili shfrytëzoi më së miri një harkim të Peposhit dhe me kokë mposhti portierin Bekim Rexhepin. Ky ishte goli numër tre për sulmuesin anësor në këtë sezon dhe interesant është fakti se të tre golat, ia ka shënuar Skënderbeut.

Sa i takon kronikës së sfidës, pjesa e parë ishte e vakët dhe nuk krijoi ndonjë mundësi shënimi të pastër për të dyja skuadrat, ndërsa në të dytën, Teuta ishte më kërkuese me Rubin Hebaj. Por, edhe korçarët patën mundësi me Meksin apo Zguron. Gjithsesi, goli i L.Vilës zgjidhi takimin, ndërsa në vazhdim, durrsakët mbetën me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Klejdi Dacit (ishte ndeshja debutimit me Teutën), i cili me një gjest antisportiv u ndëshkua nga arbitri Meta, teksa ky i fundit u ndihmua edhe nga ana e sistemit VAR.

Pas këtij suksesi, të besuarit e trajnerit Renato Arapi ngjiten në kuotën e 21 pikëve ndërsa mbeten në vendin e gjashtë të renditjes. Nga ana tjetër, korçarët e Migen Memellit pësojnë humbjen e dytë radhazi teksa mbeten në vendin e tetë me 16 pikë të grumbulluara pas fundit të gjysmës së parë të kampionatit.