Sport

Tirana e nis vitin me fitoren në derbi ndaj Dinamos!

Tirana fiton më përmbysje 2-3 në derbin me Dinamon, që u luajt në “Niko Dovana” të Durrësit. Skuadra bardheblu, e drejtuar nga një ish-dinamovit, Julian Ahmataj, tregoi karakterin e saj në pjesën e dytë, duke e bërë të pavlefshme epërsinë e dyfishtë bluve.

Goli që zhbllokoi ndeshjen u shënua nga 22-vjeçari Baton Zabërgja në minutën e 25-të, me Dinamon që shkoi në pushimin mes pjesëve në epërsi.

Sapo nisi fraksioni i dytë, Andoni dyfishoi rezultatit, duke dhënë përshtypjen se fitorja po shkonte në drejtim të Dinamos, por situata u përmbys brenda dy minutash lojë.

Në të 57-tën, Hoxhallari shkurtoi diferencën në 2-1 dhe vetëm dy minuta më vonë Deliu ktheu baraspeshën në rezultat.

Tirana nuk i kishte mbyllur “hesapet” për këtë takim, kështu që në minutën e 81-të thotë “fjalën” e tij edhe Liridon Latifi me golin e 2-3, që i siguroi Tiranës një fitore të madhe.