Bota

Tjetër raketë balistike nga Koreja e Veriut, por kësaj here dështoi rrugës!

“Sot Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM), por dështoi në mes të fluturimit” – siç bën të ditur ushtria e Koresë së Jugut. Kjo raketë balistike ishte e shtata që Pheniani ka lëshuar prej fillimit të këtij viti. Kjo ndodhi mes shqetësimeve se së shpejti, koreano-veriorët do të testojnë një armë bërthamore. Po ashtu, tensionet vijnë një ditë, pasi për herë të parë, dy Koretë lëshuan raketa pranë brigjeve të njëra-tjetrës.

Fillimisht ishin 10 raketa balistike nga Koreja e Veriut, që asnjëherë më parë nuk kanë rënë kaq pranë asaj të Jugut. Seuli u kundërpërgjigj me tre raketa. Ndërkohë, raketat me rreze të shkurtër të Phenianit në Detin e Japonisë janë kërcënim ndaj një stërvitjeje ushtarake në shkallë të gjerë të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara. Vendi komunist deklaroi se nëse përdorin forcën do të paguajnë “një çmim të tmerrshëm”.

Për sot, Koreja e Veriut vendosi të hedhë një raketë me rreze të gjatë, rreth orës 07:40 me atë lokale. Për banorët në disa nga rajonet veriore të Japonisë, kjo e shtyu qeverinë japoneze të lëshojë një alarm të rrallë emergjence, duke iu kërkuar të qëndrojnë brenda shtëpive e të mos dalin. Fillimisht, Tokio zyrtare njoftoi se raketa fluturoi mbi Japoni, por më vonë, ministri i Mbrojtjes, Yasukazu Hamada, deklaroi se “nuk e kapërceu arkipelagun japonez, por u zhduk mbi Detin e Japonisë”.

SHBA-të thanë se hedhja e kësaj rakete tregoi kërcënimin që programi raketor i Koresë së Veriut paraqet për fqinjët dhe paqen e sigurinë ndërkombëtare.

Angazhimet tona për mbrojtjen e Republikës së Koresë dhe Japonisë mbeten të hekurta!

Më 28 tetor, Koreja e Veriut, lëshoi drejt detit dy raketa balistike me rreze të mesme veprimi. Ky ishte testimi i parë i armëve balistike që Veriu ka kryer në dy javët e fundit, ndërsa ushtria amerikane paralajmëroi se përdorimi i mundshëm i armëve bërthamore nga Pheniani do të “rezultonte në fundin e regjimit ” të këtij shteti. Nga shtatori i vitit të kaluar, Koreja e Veriut ka kryer një sërë testimesh, duke nënvizuar edhe se “po teston sistemet e armëve bërthamore që janë prodhuar për të goditur shënjestra në Korenë e Jugut e në Amerikë”.