Sport

Tokio 2020, “dorëzohet” xhudisti shqiptar Indrit Çullhaj!

Përfaqësuesi shqiptar në Lojërat Olimpike të Tokios, xhudisti Indrit Çullhaj u eliminua që në raundin e parë. Ndërsa garonte në kategorinë deri në 66 kg, u dorëzua pas 11 minutash në përballjen me kundërshtarin nga Kosta Rika, Sancho Chinchila. Ndeshja u luajt në 11:00 me orën lokale dhe 04:00 të mëngjesit me tonën.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, KOKSH njoftoi edhe për një dëmtim të sportistit, i cili po mbahet nën vëzhgimin e mjekëve.

Njoftimi i KOKSH-it:

Përfundoi me dëmtim përfaqësimi i Indrit Çullhajt në Tokyo 2020.

Xhudisti kuqezi që garonte në kategorinë deri ne 66 kg është dorëzuar pas 11 minutash në përballjen me kostarikanin Sancho.

Çullhaj e nisi me besim ndeshjen e tij, duke bërë kapje të sigurta dhe duke mos i dhënë për asnjë moment shansin kundërshtarit që të pretendonte.

Edhe pse kishte epërsi të dukshme ndaj kundërshtarit në çdo kapje, Çullhaj nuk ja ka dalë, duke e humbur takimin.

Në kapjen e fundit, sportisti Olimpist pësoi edhe një dëmtim ndërsa është dashur të shoqërohet me barelë jashtë tapetit.

Çullhaj është nën vëzhgimin e ekipit mjekësor për të zbuluar konkretisht dëmtimin!

Përfundoi garimin e saj në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” edhe Manuela Delilaj. Sportistja garoi në qitje 10 metra pistoletë me ajër ku mori pjesë në baterinë e parë. Me 565 pikë në total u pozicionua e 37-ta mes 53 pjesëmarrëseve në këtë disiplinë.