Bota

Trupi i Navalnyt do të mbahet nga Moska edhe dy javë për “analiza kimike”!

Familjes së Aleksei Navalnyt, kritikut të presidentit rus Vladimir Putin, i cili vdiq në një burg rus më 16 shkurt i është thënë se trupi i tij nuk do të dorëzohet edhe për dy javë të tjera. “Nëna e të ndjerit u njoftua se trupi i tij po mbahet për “analiza kimike”, njoftoi një përfaqësues i ekipit të Navalnyt.

Vendndodhja e trupit ende nuk është bërë e ditur nga autoritetet ruse, ndërsa përpjekjet për ta gjetur atë janë të ndaluara. Yulia Navalnaya, bashkëshortja e liderit të ndjerë opozitar rus, i akuzoi autoritetet se po e fshehin trupin e tij, pasi siç shprehen “po presin që prej trupit të zhduken gjurmët e agjentit nervor Noviçok”.

Në një video të postuar dje, Navalnaya u zotua se do të vazhdojë luftën e burrit të saj për një Rusi të lirë. Ajo ka akuzuar drejtpërdrejt presidentin rus Vladimir Putin për vrasje të bashkëshortit.

Ne e kemi ditur me saktëse se përse Putin e vrau Aleksein.

Të premten, autoritetet e burgut në Arktik njoftuan për vdekjen e Navalnyt. Perëndimi e ka akuzuar shtetin rus me në krye Putinin për vrasjen e tij.

Navanlny ka qenë i dënuar me më shumë se 19 vjet burg për akuza që ai dhe mbështetësit i kanë konsideruar të motivuara politikisht. Në vitin 2020, ai u helmua me agjent nervor Noviçok dhe pati fajësuar aparatin shtetëror po me në krye Putinin, për atë vendim. Navalny ishte shëruar në Gjermani pas helmimit dhe në ditën e kthimit në Rusi u dërgua në burg.

Ndërkaq, sa i përket presidentit rus Putin, nën akuzë ai është edhe për luftën e Rusisë në Ukrainë e që vijon prej dy vitesh. Më 24 shkurt mbushen plot dy vjet.

Zelensky i lutet Perëndimit për armë nga vija e frontit. Presidenti i Ukrainës, sërish paralajmëroi se ushtria e tij po përballet me kushte “tejet të vështira” dhe mungesë municioni në vijat e frontit. Kjo pas vendimit për t’u tërhequr nga qyteti strategjik juglindor, Avdivka, për të shpëtuar jetë dhe municione përballë sulmit më të fundit rus.

Në një video-mesazh, Zelensky tha se pushtuesit rusë po shfrytëzojnë vonesat e dërgimit të ndihmave për Ukrainën. Presidenti iu drejtua me një lutje urgjente Perëndimit për predha shtesë të artilerisë e armë mbrojtëse dhe sulmuese. Po ashtu, Zelensky vizitoi vijën e frontit në qytetin verilindor, Kupianks, ku u takua me drejtues ushtarakë.