Bota

Turqi, rëndohet bilanci i shpërthimit në minierë/Të paktën 40 viktima!

Rëndohet bilanci i viktimave të shpërthimit të gazit në një minierë turke. Deri tani konfirmohen të paktën 40 viktima e 58 të shpëtuar, ndërsa në thellësinë 300 metra nëntokë ishin duke punuar 115 vetë. Pavarësisht shifrave që japin autoritetet të cituara nga mediat vendase, përsëri nuk ka një bilanc përfundimtar.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan njoftoi se për shkak të emergjencës, anuloi një vizitë të planifikuar në qytetin juglindor Diyarbakir, për të shkuar në Amasra që të ndjekë e koordinojë nga afër operacionin për të shpëtuar minatorët e mbetur të bllokuar në minierë.

Të gjitha ekipet tona shëndetësore e spitalore janë mobilizuar në ndihmë të vëllezërve tanë. Krahas strukturave ekzistente, Ministria e Shëndetësisë ngriti edhe një njësi të ndërhyrjes së shpejtë në rajon për të trajtuar të plagosurit, në rast nevoje. Edhe avionët ambulancë janë gati.

Vazhdimisht, mediat turke transmetojnë pamje dramatike të ekipeve mjekësore e të familjarëve të minatorëve të bllokuar që presin me lot në sy dhe në ankth për fatin e të afërmve.

Miniera ku ndodhi shpërthimi është në pronësi të shtetit e njihet me emrin Ttk Amasra Muessese Mudurlugu, si dhe ndodhet në qytetin Amasra, në provincën bregdetare Bartin, në Detin e Zi. Paraprakisht, ministri i Energjisë, Fatih Donmez pohoi se dyshohet për një shpërthim gazi.