Aktualitet Bota

Ukraina reagon për sulmin me 40 të vrarë dhe 100 të plagosur në Moskë: Provokim i Putin!

Drejtoria kryesore e Inteligjencës e ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës teksa reagoi për sulmin me 40 të vrarë në Moskë, e cilësoi ngjarjen si një “provokim nga Putin”.

Në një koment të dhënë për mediat e huaja, zëdhënësi i inteligjencës ushtarake ukrainase Andriy Yusov tha se sulmi mund të jetë organizuar nga vetë Putin.

Tirani i Kremlinit e filloi karrierën e tij me këtë dhe dëshiron ta përfundojë atë me të njëjtat krime kundër qytetarëve të tij– u shpreh ai.

Agjencia më e lartë hetimore e Rusisë po heton incidentin e sallës së koncerteve në Moskë si një sulm terrorist.

Të paktën 40 persona janë vrarë në sulmin në Sallën e qytetit Crocus dhe më shumë se 100 janë plagosur, sipas mediave shtetërore ruse.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për të shtënat dhe shpërthimet, dhe SHBA-ja ka thënë se nuk ka “asnjë tregues” se Ukraina ishte e përfshirë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë ka thënë se nëse ‘SHBA-të e dinin me siguri se Ukraina nuk ishte e përfshirë, atëherë duhet të ndajnë çdo informacion që kishte’.

“Në çfarë baze zyrtarët në Uashington nxjerrin ndonjë përfundim në mes të një tragjedie për pafajësinë e dikujt?”- tha Maria Zakharova.

Deri më tani dihet se agresorët kanë qenë 3 persona të maskuar të cilët kanë hapur zjarr ndaj të pranishmëve që po ndiqnin koncertin si dhe kanë hedhur edhe një granatë dore.

Komisionerja ruse për të drejtat e njeriut Tatyana Moskalkova thotë se incidenti është një “sulm terrorist”. Ndërkohë për sulmin ka reaguar edhe Shtëpia e Bardhë, e cila thotë se për momenti ka asnjë tregues që prapa këtij sulmi fshihet Ukraina.

Kujtojmë se më 7 mars, ambasada amerikane në Moskë paralajmëroi për sulme të mundshme terroriste brenda 48 orëve, veçanërisht në vendet e mbushura me koncerte.