Politikë Sociale

“Universiteti, një mollë të ndaluar”, Berisha: Bankat, thuajse bosh

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se tarifat e larta, rritja e qirave dhe çmimet e tjera në tërësi, po e bëjnë studimin në universitet një mollë të ndaluar për qytetarët shqiptarë.

Në ditën e nisjes së vitit të ri akademik, Berisha u shpreh se sot në auditorë u ulën më pak studentë, pasi një numër i madh të rinjsh janë larguar nga vendi.

“Nuk është një ditë e mirë, sepse këtë vit hyjnë në universitetet e vendit 15 përqind më pak studentë se një vit më parë. Dhe, hyjnë në bankat e vendit, pothuajse gjysma e atyre që hyjnë në universitete në vitin 2012-2013. Pra, ka një rënie dramatike të numrit të studentëve në një kohë kur Shqipëria ka nevojë jetike për kapërcimin e prapambetjes së tmerrshme që trashëgoi nga e shkuara, për një numër në rritje të qytetarëve të saj të diplomuar në universitete.

Por nuk është vetëm ulja e numrit të studentëve një problem madhor për vendin dhe arsimin e lartë universitar. Një problem tjetër shumë i madh është situata ekonomike e studentëve në Shqipëri.

Studentët në Tiranë, nisin vitin e tyre universitar në qytetin e tretë me qira më të larta në Europë. Më të shtrenjta!

Ndërkohë, qeveria shqiptare nuk ka parashikuar qoftë dhe një qindarkë kompensimi për rritjen stratosferike të qirave të banimit. Nuk ka parashikuar një qindarkë të vetme kompensim për rritjen stratosferike të ushqimeve dhe shërbimeve në qytetin e Tiranës.

Kështu, studentët përballen këtë vit njësoj si qytetarët me çmime 7-10 përqind më të shtrenjta për ushqimet se në vendet anëtare të BE.

Por, absurde dhe ndëshkuese janë për studentët, tarifat që duhet të paguajnë për regjistrimin në universitetet e vendit”, tha mes të tjerash Berisha.