Bota

Urbi et Orbi para 100 mijë besimtarëve, Papa: Paqe në Ukrainë, Rusisë t’i vijë drita!

“Të vijë paqja në Ukrainë dhe le të ketë dritë mbi Rusinë!”. Kjo u theksua nga Papa Françesku në mesazhin “Urbi et Orbi“ të Pashkës Katolike, sot në mesditë në Vatikan.

Ndihmoni popullin e dashur ukrainas në rrugën drejt paqes dhe hidhni dritën e Pashkëve mbi popullin rus. Komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë për t’i dhënë fund luftës!

Ngushëlloni të plagosurit e ata që kanë humbur të dashurit në luftë dhe lërini të burgosurit të kthehen të sigurt në familjet e tyre! Hapni zemrat e të gjithë komunitetit ndërkombëtar për të punuar që t’i jepet fund kësaj lufte e të gjitha konflikteve që po përgjakin botën. Në këtë ditë ne të besojmë ty, o Zot, qytetin e Jeruzalemit, dëshmitarin e parë të ringjalljes suaj.

Shpreh shqetësim të thellë për sulmet e ditëve të fundit, të cilat kërcënojnë klimën e shpresuar të besimit dhe respektit reciprok, të nevojshëm për të rifilluar dialogun mes izraelitëve e palestinezëve, që paqja të mbretërojë në Qytetin e Shenjtë e në të gjithë rajonin!

Ngushëlloni refugjatët, të dëbuarit, të burgosurit politikë, emigrantët, veçanërisht më të rrezikuarit, si dhe të gjithë ata që vuajnë nga uria, varfëria dhe efektet e dëmshme të trafikut të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore e të gjitha formave të skllavërisë!

Të paktën 100 mijë persona ishin në sheshin Shën Pjetër për bekimin “Urbi et Orbi” të Papa Françeskut. Më herët në mesnatë, në meshën e Pashkës Katolike në Bazilikën e Vatikanit, Papa kujtoi “gëzimin e Krishtit të ringjallur, të varrit të tij bosh e të ftesës për takimin e ri, në një realitet personal e kolektiv të dominuar nga zhgënjimi e lodhja apo erërat e akullta të luftës”. “Në Pashkë, gratë nuk mbeten të paralizuara para një varri. Ungjilli thotë se e braktisën me nxitim varrin. Me frikë e gëzim të madh, vrapuan për të njoftuar dishepujt e tij e përcollën lajmin që përgjithmonë do të ndryshojë jetën e historinë: Krishti u ringjall!”, – theksoi Ati i Shenjtë.