Aktualitet

Urimet për 8 Dhjetorin, presidenti Begaj me të rinjtë që kryen praktikën në Presidencë!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uron 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë, duke zgjedhur që këtë urim ta bëjë së bashku me studentët që kryen praktikën në Institucionin e Presidentit. Në një postim në Facebook, Begaj shkruan:

Bashkë me studentët e shkëlqyer të Fakultetit të Drejtësisë, të Shkencave Sociale dhe Histori-Filologjisë, që kryen praktikën në Institucionin e Presidentit ju urojmë: Gëzuar Ditën e Rinisë! Energjia, pasioni dhe disiplina që ata treguan gjatë veprimtarisë së tyre si praktikantë, janë shpresëdhënëse për një Shqipëri më të mirë.

Institucioni i Presidentit aplikoi për herë të parë zhvillimin e praktikave për studentë duke u bërë kështu pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.

Sot shënohet 8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë. Prej 2009-ës, përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 e rinisë shqiptare. Më 8 dhjetor 1990, studentë e pedagogë të Tiranës, u bënë nismëtarë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.

Lëvizja Studentore ndryshoi historinë e Shqipërisë. Shumë gjëra ndryshuan e tani, të rinjtë e sotëm kanë mundësi e zgjedhje shumë më tepër se 33 vite më parë. Por, në këto tri dekada, realiteti nuk duket t’i jetë afruar ambicieve të tyre dhe me shumicë, po zgjedhin t’i përmbushin diku tjetër.

Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se vitin e kaluar, grupmosha 0-24 vjeç përbënte vetëm 30% të popullsisë, nga gati 50% që ishte më 2011-ën (e dhëna më e hershme e disponueshme). Në shifra janë rreth 570 mijë të rinj e fëmijë më pak se në dy dekada më parë.