Bota

Vaksina anti-COVID Johnson&Johnson dëmton sistemin imunitar?

Rregullatorët amerikanë shtojnë një paralajmërim të ri në vaksinën kundër koronavirusit të kompanisë Johnson&Johnson. Ka një lidhje të mundshme mes saj dhe sëmundjes së rrallë neurologjike të njohur si Sindromi Guillain-Barre.

Njerëzit me këtë problem të sistemit imunitar përjetojnë dobësim të muskujve e në disa raste edhe paralizë. Administrata për Ushqimin e Ilaçet, si edhe Qendrat për Parandalimin e Kontrollin e Sëmundjeve pranuan rreth 100 raportime nga njerëz që patën simptoma pasi morën J&J. Thuajse të gjithë u shtruan në spital e një person ndërroi jetë.

Sa i përket rasteve të raportuara, shumica ishin burra, pjesa dërrmuese më shumë se 50-vjeç e zakonisht shqetësimet nisën t’i shprehin dy javë pas vaksinimit.

Gjithsesi, shifra duket tejet të vogël në krahasim me 13 milionë amerikanë që kanë marrë vaksinën e kompanisë J&J.

Autoritetet shëndetësore besojnë se përfitimet nga vaksinat anti-koronavirus i tejkalojnë rreziqet aq më teper që ka një shqetësim në rritje për përhapjen e variantit Delta që transmetohet me shpejtësi. Shpresat janë te vaksinat që vazhdojnë të rikonfirmohen si mjeti kryesor mbrojtës në luftën me COVID-in në Amerikë e kudo.