Travel

Valbona renditet nga “Forbes” mes pesë bukurive natyrore që duhen vizituar!

“Forbes” revista prestigjioze  në një artikull për vendet e Ballkanit ka renditur pesë bukuritë natyrore që duhen vizituar, mes të cilave dhe Valbonën.

Revista veçon fshatrat karakteristikë, që ndodhen përgjatë gjithë Luginës së Valbonës si dhe biodiversitetin e pasur të zonës.

“…ndërsa majat e larta të maleve të kujtojnë majat e thepisura në Zvicër apo Austri, ky vargmal është në fakt pjesë e Bjeshkëve të Nemuna, një formacion që quhet edhe Alpet Shqiptare. Nuk mungojnë fshatrat idilike për t’u eksploruar në të gjithë Luginën e Valbonës, duke filluar nga Dragobia deri në Valbonë. Ky park ikonik është shtëpia e shumë më tepër sesa thjesht e njerëzve. Biodiversiteti i pasur i gadishullit të Ballkanit Perëndimor shfaqet plotësisht këtu, me arinj të murrmë, dhi të egra dhe rrëqebuj, që të gjithë e quajnë këtë park shtëpinë e tyre“, shkruhet në artikull.

“Forbes” rendit më tej Parkun Kombëtar të Unës në Bosnje-Hercegovinë, Parkun Kombëtar të Pirinit në Bullgari dhe Liqenin e Kerkinit në Greqi.