Aktualitet Sociale

Varfëria e tejskajshme, standardi i jetesës në Kukës sa 19% e mesatares së BE, në Tiranë 42%!

Më 2021-shin, standardet e jetesës në Kukës janë sa 19% e mesatares së BE-së, duke krahasuar PBB-në për frymë sipas barazisë të fuqisë blerëse. Në të njëjtin vit, mundësitë ekonomike të qytetarëve më të varfër të vendit nuk janë as sa gjysma e kryeqytetasve.

Kryeqyteti, që ka nivelin më të lartë ekonomik në vend e kishte standardin e jetesës sa 42.6% e BE-së. PBB-ja për frymë e qytetarëve që jetojnë në kryeqytet, në vitin 2021 ishte sa 42% e mesatares që konsumoi një qytetar i Bashkimit Europian.

Në qarqet e tjera, diferenca është më e thellë. Sipas paritetit të fuqisë blerëse, Korça, edhe pse me një ekonomi në rritje e kishte PBB-në për frymë vetëm sa 23.2% e BE-së, duke u renditur njësoj me Dibrën për këtë tregues. Gjithashtu Lezha, Shkodra e kishin standardin e jetesës sa 22% e BE-së.

Në vitin 2021, PBB-ja për frymë në Shqipëri ishte sa 31.7% e mesatares së BE-së. Në të njëjtin vit, qarqet Kukës, Lezhë, Shkodër, Elbasan, Dibër, Korçë, Berat, Durrës kishin PBB-në për frymë poshtë mesatares kombëtare të krahasueshme me BE-në.

Në krahun tjetër, në krahasim me BE-në, vetëm Tirana, Fieri dhe Gjirokastra e kishin PBB-në për frymë më të lartë se mesatarja kombëtare.

Shqipëria vijoi të jetë e fundit në Europë për të ardhurat për frymë edhe në vitin 2021 e me fuqinë më të ulët blerëse. Ndonëse ka një përmirësim të lehtë me 1 pikë përqindje në raport me vitin 2020, shtetet e tjera të rajonit kanë ecur më shpejt në të ashtuquajturin proces të konvergjencës që nënkupton rritjen me ritme më të shpejta se BE-ja. Kjo me synimin për të kapur mesataren europiane brenda një periudhe të caktuar.

Për Maqedoninë e Veriut, treguesi u përmirësua nga 38% e mesatares së BE-së në 42% për të njëjtën periudhë. Për Serbinë, treguesi është 44%, për Malin e Zi 48% (nga 45% më 2020-ën). Edhe Bosnjë-Hercegovina renditet përpara Shqipërisë, me 33% të mesatares së BE-së. Të dhënat për Kosovën nuk janë të disponueshme.

Vit pas viti, pabarazia ekonomike po thellohet ndërmjet Tiranës dhe qarqeve të tjera, për shkak se ekonomia e kryeqytetit po rritet me ritme më të larta se ekonomia e qarkut më të varfër në vend, Kukësit.

Për rrjedhojë, ritmet e konvergjencës, në vend që të ngushtohen, po thellohen me tej sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT-i për PBB-në e Rajoneve më 2021-shin, që u botua këto ditë.

Niveli më i lartë i PBB-së për frymë, sipas rajoneve statistikore në nivel qarku, në vitin 2021, ishte në Tiranë me 886 mijë lekë dhe shënoi rritje në terma nominale prej 13.83%, krahasuar me vitin 2020.

PBB për frymë e këtij qarku ishte sa 134% mbi mesataren e vendit.

Në qarkun më të varfër të vendit, Kukësi e kishte PBB-në për frymë 395 mijë lekë, duke shënuar rritje në terma nominale me 8.74% krahasuar me vitin 2020. PBB për frymë e këtij qarku ishte sa 59% e mesatares kombëtare. Monitor