Bota

Varianti Delta i koronavirusit përhapet njësoj si lia e dhenve!

Varianti Delta i koronavirusit përhapet me aq lehtësi sa lia e dhenve. Kështu theksojnë Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, CDC në Shtetet e Bashkuara në një raport të cituar nga Nju Jork Tajms ku gjithashtu nënvizohet se Delta mund të shkaktojë formë të rëndë të sëmundjes.

Ndërkaq, rezulton më e lartë mundësia që të shmangë mbrojtjen e krijuar nga vaksinat. Edhe vendimi për rikthimin e maskave u bazua në raportin e Qendrave.

Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve rikonfirmojnë se vaksinat janë shumë efektive në shmangien e formave të rënda të koronavirusit, shtrimeve në spitale e vdekjeve.

Një studim i ri tregon se personat e infektuar me variantin Delta kanë një sasi të madhe të virusit në hundë dhe fyt. “Delta përhapet më lehtë se viruset MERS, SARS, Ebola, po ashtu se gripi sezonal dhe lia e dhenve”, – theksohet në raport. Hapi i parë është të kuptohet se lufta ka ndryshuar.

Gjatë ditës, CDC pritet të bëjë publike më shumë të dhëna ndaj këtij varianti. Ndërkohë, presidenti Joe Biden iu bën thirrje shteteve të ofrojnë nga 100 dollarë për të vaksinuarit kundër koronavirusit, si përpjekje për të rritur shkallën e imunizimit në Amerikë.

Gjithashtu, Biden kërkoi vaksinimin e punonjësve federalë që tashmë duhet të tregojnë se janë vaksinuar apo të kryejnë teste dhe të mbajnë maskën. Sipas të dhënave zyrtare, më pak se 50% e qytetarëve janë vaksinuar plotësisht në SHBA ku masat e reja vijnë si rezultat i përhapjes së variantit Delta të koronavirusit.