Politikë

Vasili: Porti Durrësit do t’u jepet kompanive offshore dhe jo “Emaar Group”

Partia e Lirisë ka akuzuar Edi Ramën për projektin e Portit të Durrësit. Nëpërmjet një deklarate për mediat, nënkryetari i partisë, Petrit Vasili akuzoi se kontrata është bërë me kompani offshore dhe jo me “Emmar Group”.

“I kapur keq, për shkak të paradhënieve të majme që marrin, për të grabitur këtë aset, nën urdhër të parave përkatëse për të cilat paguhen, na foli sot për grupin e madh që ka ndërtuar Dubain. E tha shumë herë, sepse ky është i pacipë, sepse po sot, po në të njëjtin vendim nuk gjendet gjëkundi Emaar Group. Përkundrazi, shfaqen kompani, të cilat janë në parajsa fiskale”, tha Vasili në konferencë për mediat.

Kuvendi miratoi të mërkurën futjen me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për Portin e Durrësit. Procedura ngjalli debate mes mazhorancës dhe opozitës, me demokratët që akuzuan socialistët se pas këtij vendimi fshihet një aferë e madhe korruptive. Por pavarësisht akuzave, kalimi me procedurë të përshpejtuar i projektligjit u miratua me 62 vota pro dhe 20 kundër.