Bota

Vazhdon grumbullimi i ushtarëve rusë në kufi me Ukrainën!

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, raporton se po rritet grumbullimi i trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën. Shqetësimet janë shtuar se ky grumbullim ushtarak është përgatitje për një pushtim të vendit nga Rusia. Kuleba deklaroi se “Kievi do të kundërpërgjigjet nëse rusët sulmojnë”. Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara refuzuan kërkesën e Moskës që NATO të ndalë anëtarësimin e Ukrainës në këtë aleancë ushtarake dhe ofruan “rrugë serioze diplomatike” për zgjidhjen e krizës.

Ambasada e Uashingtonit në Kiev iu bën thirrje amerikanëve në Ukrainë, të shqyrtojnë mundësinë e largimit nga vendi. Tensionet me Rusinë janë rritur pasi kjo e fundit ka vendosur mijëra trupa pranë kufirit.

Situata e sigurisë në Ukrainë vazhdon e paparashikueshme, për shkak të rritjes së kërcënimit nga veprimi ushtarak rus e mund të përkeqësohet në çdo kohë.

Shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell përshëndeti vendimin amerikan, për t’i refuzuar Rusisë, kërkesat e sigurisë. Borrell i bëri thirrje Moskës, të pranojë rrugën diplomatike, si e vetmja mënyrë për zgjidhje afatgjate të krizës me Kievin. Më herët, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se nuk pranoi pretendimet e Rusisë, përfshirë mospranimin e Ukrainës në NATO.

Ndërkaq, përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës vazhduan edhe në Paris, ku u takuan këshilltarët e liderëve të Rusisë, Ukrainës, Francës dhe Gjermanisë. Sot përmes një deklarate, ata thanë se “zotohen për respektimin e një marrëveshjeje armëpushimi të arritur më parë që ka për qëllim t’i japë fund konfliktit në lindje të Ukrainës”.

Në Gjermani u arrestua një shkencëtar rus, i dyshuar se dha informacione të klasifikuara mbi programin e raketave hapësinore europiane, kur punonte në një universitet gjerman. I prangosuri zhvillonte “takime të rregullta” me një oficer të lartë të inteligjencës ruse në Gjermani, i arrestuar në qershor të vitit të kaluar. Njoftimi vjen në kohën e tensioneve të rritura mes Moskës dhe Perëndimit lidhur me Ukrainën.