Bota Rajoni

“Vdekja nga uria” në Ukrainën e viteve ’30, Kroacia njeh Holodomorin si gjenocid!

Parlamenti i Kroacisë sot votoi për njohjen e Holodomorit si gjenocid. Kjo fjalë nënkupton vdekjen e miliona njerëzve në Ukrainë në vitet 1930, në kohën kur Bashkimin Sovjetik e drejtonte Josif Visarionoviç Stalin. Artificialisht, regjimi i tij krijoi urinë që preku popullsinë e Ukrainës sovjetike, të Kaukazit të Veriut e të zonës përreth rrjedhës së poshtme të lumit Vollga, mes viteve 1932 e 1933.

Vlerësohet se deri në 9 milion njerëz vdiqën si rezultat i ekzekutimeve, dëbimeve dhe urisë gjatë Holodomorit. Më e goditura ishte Ukraina, si zona më pjellore bujqësore e Bashkimit Sovjetik. Me deklaratën e miratuar, Parlamenti kroat tha se e njeh Holodomorin si gjenocid kundër popullit ukrainas.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e falënderoi Kroacinë për këtë veprim.

Bota nuk do t’i pranojë kurrë krimet e Kremlinit, as të kaluarat e as të tanishmet.

Edhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, shprehu mirënjohje për Kroacinë, duke thënë se “njohja globale e gjenocidit të Holodomorit” vazhdon të rritet me shpejtësi. 27 vende e njohin urinë si gjenocid. Viktimat e Holodomorit përkujtohen në Ukrainë dhe në mbarë botën çdo vit, në të shtunën e katërt të muajit nëntor.

Në varësi të vlerësimeve, nga tre deri në dhjetë milion njerëz vdiqën nga Holodomori. Askush nuk e di numrin e saktë sepse autoritetet në Bashkimin Sovjetik e ndaluan çdo përmendje të tij deri pak para shpërbërjes. Vetë fjala Holodomor do të thotë “vdekje nga uria”.

Pak kohë më parë, Kombet e Bashkuara, në një deklaratë të përbashkët të disa vendeve, përfshirë Ukrainën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusinë, përmendnin shtatë deri në dhjetë milion viktima të Holodomorit. Vlerësimet nga historianët modernë variojnë nga tre deri në shtatë milion. Polonia, Estonia, Lituania, Letonia, Hungaria, Kanadaja, Vatikani, SHBA-të e tashmë Kroacia janë mes atyre që së bashku me Ukrainën, e cilësojnë Holomodorin gjenocid, ndërsa BE-ja, “krim kundër njerëzimit”.