Bota

Vendoret në Turqi, opozita “korr” fitore të mëdha/Erdogan: Humbëm!

Partia kryesore opozitare e Turqisë ruajti kontrollin mbi qytetet kyçe dhe siguroi fitore të mëdha, në të tjera qytete në lokalet e një dite më parë duke shqetësuar presidentin Rexhep Tajip Erdogan, i cili kishte vendosur të rimerrte kontrollin e zonave urbane.

Me më shumë se 90%  të kutive të votimit të numëruara, kryebashkiaku aktual i Stambollit, Ekrem Imamoglu i Partisë Popullore Republikane, CHP kryeson me diferencë të madhe në qendrën ekonomike të Turqisë.

Mansur Yavas, kryebashkiaku i kryeqytetit Ankara, ruajti postin e tij, me një diferencë prej 25 pikësh ndaj kundërshtarit, siç treguan rezultatet.

Në përgjithësi, CHP-ja fitoi bashkitë e 36 nga 81 provincat e Turqisë, me një depërtim në shumë bastione të partisë së Erdoganit. Opozita ka 37% të votave në mbarë vendin, krahasuar me 36% për partinë e presidentit duke shënuar fitoren më të madhe elektorale të CHP-së që kur Erdogan erdhi në pushtet dy dekada më parë.

Erdogan e pranoi humbjen zgjedhore dhe në një fjalim theksoi se njerëzit dhanë një “mesazh” që partia e tij do ta “analizojë duke u angazhuar në autokritikë të guximshme”.

Fatkeqësisht, nëntë muaj pas fitores sonë në zgjedhjet e 28 majit 2023, nuk mundëm të merrnim rezultatin që dëshironim në zgjedhjet lokale. Ne do të korrigjojmë gabimet e të metat tona.

Ai u zotua të vazhdojë përpara me një program ekonomik të prezantuar vitin e kaluar e që synon të luftojë inflacionin. Vota u pa si një barometër i popullaritetit të Erdoganit, pasi u përpoq të rifitonte kontrollin e zonave kryesore urbane që humbi ndaj opozitës në zgjedhjet e pesë viteve më parë. Fitorja e CHP-së në Ankara dhe Stamboll në vitin 2019, pati shkatërruar mitin e pathyeshmërisë së Erdoganit.

Fusha kryesore e betejës për presidentin 70-vjeçar turk ishte Stambolli, një qytet me 16 milion banorë ku ai lindi dhe u rrit e ku filloi karrierën politike në vitin 1994. Rezultati erdhi si një nxitje për opozitën, që mbeti e ndarë dhe e demoralizuar pas një disfate ndaj Erdoganit e partisë së tij qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, me orientim islamik, në zgjedhjet presidenciale e parlamentare të vitit të kaluar.

Votuesit vendosën një rend të ri politik në Turqi, tha kreu i CHP-së, Ozgur Ozel para një turme mbështetësish.

Votuesit vendosën të ndryshojnë tablonë 22-vjeçare në Turqi e të hapin derën e një klime të re politike në vendin tonë.

Një turmë e madhe u mblodh jashtë Bashkisë së Ankarasë për të festuar fitoren e Yavasit.

Ankaraja është krenare për ty, ishte mesazhi i mbështetësve.

Inflacioni në rritje ka bërë që shumë familje turke të luftojnë për të përballuar blerjen e mallrave bazike. Mbështetësit e AKP-së zgjodhën të qëndronin larg qendrave të votimit ose votuan për parti të tjera. Pjesëmarrja ishte relativisht e ulët në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Rreth 61 milion njerëz, përfshirë më shumë se një milion votues për herë të parë, kishin të drejtë të votonin për të gjitha bashkitë. Pjesëmarrja ishte rreth 76%, krahasuar me 87%, vitin e kaluar.

Rreth 594 mijë forca u angazhuan për rendin e sigurinë, por një person u vra dhe 11 të tjerë u plagosën në qytetin e Dijarbakirit, ku një mosmarrëveshje për zgjedhjen e një administratori lagjeje u shndërrua në dhunë.

Të paktën gjashtë persona u plagosën në përplasjet që shpërthyen në provincën e afërt Sanliurfa.