Aktualitet Rajoni

Veriu i Kosovës, kryeministri Rama: Zgjidhje në krah të botës demokratike, fund absurdit kërcënues!

Tensionet në veri të Kosovës, me serbët që protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të komunave ku ata përbëjnë shumicën, sot ishin në fokus të një takimi të kryeministrit Rama me presidentin serb, Aleksander Vuçiç e shefen e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në Moldavi, ku po mbahet një samit europian. Rama theksoi se “ky konflikt duhet të zgjidhet në bashkëpunim me ndërkombëtarët”. Shefi i qeverisë shkruan:

Rajoni duhet të hyjë në një marrëdhënie të re me BE-në, ndërkohë që konflikti në Veriun e Kosovës duhet të zgjidhet krah për krah me botën demokratike, duke i dhënë fund absurdit kërcënues e duke finalizuar marrëveshjen e normalizimit dhe njohjes së ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë.

Për gjendjen në veri të Kosovës sot folën dhe presidentët e Shqipërisë e të Hungarisë, Bajram Begaj e Katalin Novak, e cila vizitoi vendin tonë. Kreu i shtetit tha se aktorë keqdashës kërkojnë destabilizimin e rajonit. Begaj vuri theksin te rëndësia e dialogut Kosovë-Serbi.

Nënvizova rëndësinë gjeopolitike që ka rajoni, ku aktorët keqdashës kërkojnë destabizilizimin e tij duke u ndalur te rëndësia e dialogut mes Kosovës e Serbisë. Hungaria është prezente në rajon me investime.

Në të njëjtën linjë me Begajn, ishte dhe presidentja e Hungarisë, duke bërë thirrje t’iu jepet fund tensioneve në veri. Sa i përket dhunës ndaj 30 ushtarëve të KFOR-it, 19 prej të cilëve ishin hungarezë, Novak kërkoi që akte të tilla të mos përsëriten më kurrë, ndërsa falënderoi trupat për guximin e treguar.

Shumë shpejt mund të përshkallëzohet situata në Kosovë. Bashkë me presidentin jemi interesuar në depërshkallëzimin e kemi parasysh paqen dhe stabilitetin e Kosovës e rajonit. Shpresojmë të mos ketë më asnjë situatë të tillë dhe gjendja në Kosovë të qetësohet e të gjendet rruga drejt një paqeje afatgjatë.

Aleksander Vuçiç thotë se Beogradi do të bëjë gjithçka për të shtensionuar situatën në Kosovë. Pas një sërë takimesh, përfshirë ato me shefen e KE-së, von der Leyen e kryeministrin holandez, Rutte, presidenti serb shkruan:

Biseda për sfidat aktuale në “Kosovë e Metohi”, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për rrugën europiane të Serbisë, por edhe për marrëdhëniet dypalëshe e forcimin e dialogut politik dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik. Ndajmë të njëjtin përkushtim për të ardhmen e përbashkët, paqen e stabilitetin.