Bota

Vladimir Putin pritet të mbetet në pushtet edhe pas vitit 2024!

Presidenti rus, Vladimir Putin vendosi të garojë në zgjedhjet presidenciale të marsit, një vendim që pritet ta mbajë në pushtet deri më 2030-ën, pasi ndjen se i duhet ta udhëheqë Rusinë në periudhën më të rrezikshme në dekadat e fundit. Kështu thanë gjashtë burime për agjencinë e lajmeve Reuters.

Putin, të cilit ia dorëzoi presidencën Boris Yeltsin në ditët e fundit të vitit 1999, ka shërbyer si president më gjatë se çdo udhëheqës tjetër rus prej Stalinit. Më 7 tetor, ai mbushi 71 vjeç.

Burimet, që folën në kushte anonime për shkak të ndjeshmërisë së politikave të Kremlinit, thanë se këshilltarët po përgatiten për fushatën zgjedhore të Putinit.

Vendimi është marrë, ai do të garojë.

Për Putinin, i cili gëzon një mbështetje prej rreth 80% brenda Rusisë sipas sondazheve, zgjedhjet janë formalitet nëse merr pjesë. Me mbështetjen e shtetit, mediave shtetërore dhe pothuajse pa disidencë publike, ai e ka të sigurt fitoren.

Një burim tjetër konfirmoi se vendimi është marrë dhe se këshilltarët e Putinit po përgatiten për pjesëmarrjen e tij në zgjedhje. Të njëjtin konfirmim e dhanë edhe tri burime të tjera: Putini do të garojë.

Teksa shumë diplomatë, spiunë dhe zyrtarë të huaj thonë se presin që Putini të qëndrojë në pushtet përjetë, deri më tani nuk ka pasur konfirmim specifik se ai do të garojë në zgjedhjet presidenciale të marsit 2024.

Rusia në luftë

Ndërsa Putin mund të mos përballet me garë në zgjedhje, ish-spiuni i Shërbimit Sekret Rus (KGB) përballet me sfidat më të mëdha që është përballur ndonjë lider i Kremlinit që kur Mikhail Gorbachev u ballafaqua me rënien e Bashkimit Sovjetik para më shumë se tri dekadave.

Lufta në Ukrainë ka nxitur konfrontimin më të madh me Perëndimin që kur ndodhi Kriza e Raketave Kubane më 1992-shin. Sanksionet e Perëndimit kanë shkaktuar tronditjen më të madhe të brendshme ndaj ekonomisë ruse në dekadat e fundit dhe Putini u përball me një kryengritje të dështuar nga mercenari më i fuqishëm i Rusisë, Yevgeny Prigozhin, në qershor. Prigozhin humbi jetën si pasojë e rrëzimit të avionit dy muaj pas kryengritjes.