Bota

Von der Leyen mbron lirimin e fondeve të BE-së për Hungarinë!

Sot gjatë një fjalimi në Parlamentin Europian, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen mbështeti vendimin e komisionit për t’i dhënë Hungarisë fondet e Bashkimit Europian.

Budapesti miratoi legjislacionin për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit në Hungari. Kjo është ajo që ne kërkuam dhe ajo që Hungaria dha.

Muajin e kaluar, në dhjetor, Komisioni Europian lëvroi rreth 10 miliardë euro (10,9 miliardë dollarë) fonde të ngrira të BE-së për Hungarinë, pavarësisht akuzave të vazhdueshme për abuzim me pushtetin dhe korrupsion në shtetin hungarez.

Fonde shtesë me vlerë pothuajse 12 miliardë euro, si dhe ndihma të tjera në miliarda euro për koronavirusin, ende mbeten të bllokuara. Për këtë, Von der Leyen tha:

Hungaria duhet të përmbushë të gjitha kushtet e nevojshme!

Një grup ligjvënësish të Bashkimit Europian nga i gjithë spektri politik beson se nëse komisioni lëshon fonde të tjera për Hungarinë pa plotësuar kushtet, parlamenti do të përdorte të drejtën për të ndërmarrë veprime të mëtejshme politike e ligjore.

Kjo mund të përfshijë një votë mosbesimi ndaj komisionit. Nëse është e suksesshme, mund të kërkohet dorëheqja e komisionit, përfshirë ajo e presidentes Ursula Von der Leyen.

Një rezolutë mbi masat do të votohet nesër në Strasburg dhe megjithëse ka pak shanse për sukses, zemërimi po rritet gjithnjë e më shumë.

Von der Leyen, një politikane konservatore veterane gjermane është akuzuar se ka lejuar veten që të shantazhohet nga kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili më herët njoftoi se do të bllokonte një paketë të ndihmës së Bashkimit Europian për Ukrainën, nëse nuk do të liroheshin fondet nga blloku.