Bota

Londra lejon një tjetër apel për Assange-in/Momentalisht nuk ka ekstradim në SHBA!

Julian Assange merr leje për të shmangur ekstradimin në SHBA nga Gjykata e Lartë në Londër. Themeluesi i Wikileaks-it akuzohet nga Shtetet e Bashkuara se nxori dokumente konfidenciale nga Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit, me zbulime që e vunë në vështirësi Uashingtonin ndaj dhe e ka ndjekur prej gati 15 vitesh. Kërkesa e mbrojtjes për Apelin, e refuzuar në shkallën e parë, tani është pranuar dhe Assange ka një shans të mëtejshëm për të shmangur dorëzimin te autoritetet amerikane.

Çështja u shty për më 20 maj

Duke i dhënë qeverisë amerikane tre javë për të garantuar drejtësinë e një gjyqi të mundshëm të gazetarit australian, Gjykata e Lartë Britanike “hapi portën” për një apel të ri nga Assange kundër kërkesës për ekstradim. Më pas, vendosi për një seancë të re, më 20 maj.

Gjykata i kërkon SHBA-ve garanci që bashkëthemeluesi i Wikileaks-it të përfitojë realisht nga mbrojtja e garantuar nga Amendamenti i Parë (i cili mbron lirinë e fjalës) dhe se dënimi me vdekje është i përjashtuar. Gjithashtu, kërkoi që ai të mos paragjykohej në gjyq ose dënohej për shkak të shtetësisë  australiane.

Nëse nuk jepen garanci të tilla do të jepet leja për apelim dhe më pas do të ketë një seancë dëgjimore.

Por, gjyqtarët nuk pranuan argumentet e Assange-it se po ndiqet penalisht për shkak të pikëpamjeve të tij politike.

Duke folur jashtë selisë së Gjykatës së Lartë të Britanisë së Madhe, gruaja e Assange-it, Stella u shpreh “e habitur” nga vendimi i gjykatës për të vonuar apelimin e bashkëshortit të saj, me të cilin u martua gjatë qëndrimit të tij në burgun e sigurisë maksimale në Belmarsh.

Assange mbetet i ekspozuar ndaj dënimit me vdekje, por ajo që bëri gjykata ishte thirrja për ndërhyrje politike nga Shtetet e Bashkuara. Më duket e habitshme.

Qeveria amerikane: Duke shpërndarë dokumente konfidenciale, Assange rrezikoi jetë të pafajshme

Në shkurt, gjatë një seance dyditore në Gjykatën e Lartë, avokati i Assange-it, Edward Fitzgerald, tha se autoritetet amerikane po kërkonin ta ndëshkonin për “ekspozimin e kriminalitetit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, në një shkallë të paprecedentë”.

Qeveria amerikane iu përgjigj mbrojtjes së gazetarit australian duke theksuar se veprimet e Assange-it shkuan përtej gazetarisë, duke kërkuar, vjedhur e publikuar dokumente të klasifikuara qeveritare, që rrezikonin jetë të pafajshme.